Një sondazh i ri i WeBalkans ka zbuluar se cilëve partnerë ndërkombëtarë u besojnë më shumë qytetarët në Ballkanin Perëndimor. Rezultatet tregojnë se Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të jenë ndër vendet më pro-perëndimore në rajon.
Në Shqipëri, Bashkimi Evropian renditet i pari me 91.9% besim, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara me 88.4%. Pas tyre vijnë Turqia (77.5%), Mbretëria e Bashkuar (65.6%) dhe Norvegjia (59.5%). Në fund të listës renditet Rusia, me vetëm 5.8% besim.
Në Kosovë, partneri më i besuar janë Shtetet e Bashkuara, me 88.5%, ndërsa Bashkimi Evropian renditet i dyti me 83.3%. Top pesëshen e plotësojnë Turqia (78.1%), Mbretëria e Bashkuar (76.0%) dhe Norvegjia (60.2%). Vetëm 9.1% e qytetarëve kanë besim te Kina, ndërsa 8.4% te Rusia.
Edhe vendet e tjera të rajonit shfaqin dallime interesante.
Në Bosnje dhe Hercegovinë, partneri më i besuar mbetet BE-ja me 72.0%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ajo kryeson me 79.5%, përpara Turqisë dhe SHBA-së.
Në Mal të Zi, Bashkimi Evropian mban vendin e parë me 72.8%, por bie në sy niveli i lartë i besimit ndaj Kinës, që arrin në 64.5%.
Pamja ndryshon plotësisht në Serbi, ku Rusia është partneri më i besuar me 58.4%, e ndjekur nga Kina me 54.5%. BE-ja renditet e treta me 39.8%, ndërsa vetëm 16.0% e qytetarëve shprehin besim ndaj Shteteve të Bashkuara.
Në Turqi, BE-ja kryeson me 49.1%, përpara Rusisë dhe Kinës.
Sondazhi tregon një ndarje të qartë në rajon: Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të mbështeten kryesisht te partnerët perëndimorë, ndërsa Serbia mbetet vendi me orientimin më të fortë drejt Rusisë dhe Kinës.







