Qindra studentë shqiptarë kanë nisur sot protestën në Shkup, duke kërkuar që provimi i jurisprudencës të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.
Me pankarta dhe thirrje të forta, studentët marshuan drejt Ministrisë së Drejtësisë, duke theksuar se gjuha shqipe nuk duhet të përjashtohet nga proceset institucionale dhe akademike në Maqedonia e Veriut.
“Kjo gjuhë ka dëshmorë pas vetes”, “Gjuha shqipe nuk ndalet” dhe “Gjuha shqipe nuk negociohet” ishin disa nga thirrjet që u dëgjuan gjatë protestës.
Një qytetar shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara për t’iu bashkuar protestës, tha se kërkesa e studentëve është legjitime dhe kërkoi zgjidhje institucionale për çështjen. Protestës iu bashkuan edhe studentë nga Kosova, ndërsa organizatorët raportuan mbështetje nga figura publike dhe politike shqiptare në rajon.
Gjatë marshimit, disa studentë janë ndaluar nga autoritetet, dhe sipas raportimeve janë arrestuar gjithsej pesë persona. Protesta u zhvillua në një atmosferë të tensionuar, ndërsa studentët vazhdojnë të kërkojnë lejimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe respektimin e të drejtave gjuhësore.







