Reperi shqiptaro-amerikan Action Bronson ka publikuar një episod të ri të emisionit të tij “F*ck, That’s Delicious”, ku këtë herë i ftuar ishte kryetari i New York-ut, Zohran Mamdani. Episodi u xhirua në një restorant jemenas në Brooklyn gjatë muajit të Ramazanit, ku të dy u ulën për të ndarë iftarin.
Mamdani, i cili është mysliman, e nisi iftarin me hurma dhe çaj, përpara se të provonin një sërë gatimesh tradicionale si peshk i pjekur, mish qengji “haneeth”, “salta” dhe pjata të tjera tipike të kuzhinës jemenase. Atmosfera ishte e relaksuar, në stilin karakteristik të Bronson, me biseda që lëviznin natyrshëm nga ushqimi tek jeta në New York.
Një nga momentet që ra më shumë në sy ishte kur Bronson i tha Mamdanit “Të boftë mirë”, duke ia shpjeguar këtë shprehje si një mënyrë tradicionale shqiptare për të uruar fillimin e ushqimit. Ky detaj i vogël kulturor e ktheu episodin në një moment që rezonoi veçanërisht me audiencën shqiptare online.
Gjatë bisedës, Mamdani foli për rrugëtimin e tij nga një fëmijë emigrant që u rrit në New York, në kryetar të qytetit më të madh në Shtetet e Bashkuara. Ai e përshkroi këtë si një “ëndërr të realizuar”, ndërsa Bronson theksoi rëndësinë e përfaqësimit dhe përgjegjësisë ndaj një qyteti kaq të larmishëm. Mamdani u zgjodh kryetar me mbi 50% të votave dhe është kryetari i parë mysliman dhe me origjinë afrikane në historinë e qytetit, si dhe një nga më të rinjtë në më shumë se një shekull.







