Search
Close this search box.

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia do të blejnë së bashku armë amerikane në kuadër të nismës së re ushtarake

Shpërndaje

Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për të vënë në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, i cili u ra dakord në letër rreth pesë muaj më parë, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.

Ministritë e Mbrojtjes së Kosovës dhe Shqipërisë kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se grupet e ekspertëve po punojnë në një plan për zbatimin e kësaj deklarate.

Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Kosovës, Ejup Maqedonci, tha se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit të zbatimit “për të detajuar planin në nivel operacional.”

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila priti ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, bëri të ditur se në shtator të këtij viti do të prezantohet për miratim udhëzuesi që është drejt finalizimit, përpara ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Pikat e bashkëpunimit

Në deklaratën e nënshkruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe ai i Kroacisë, Ivan Anušić, u përcaktuan katër pika bashkëpunimi:

  • Nxitja e kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse;

  • Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimeve dhe ushtrimeve;

  • Luftimi i kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë;

  • Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.

Në tekstin e deklaratës thuhej se ky bashkëpunim synon pozicionim të mirë përballë kërcënimeve dhe arritjen e objektivave të sigurisë dhe mbrojtjes.

Blerje të përbashkëta armësh

Pika e parë e zotimit në deklaratë është sigurimi i kapaciteteve mbrojtëse.

Sipas Maqedoncit, ideja është që të bëhet një porosi e vetme, në vend të tre porosive të ndara nga secili shtet.

“Për shembull, një sistem [armësh] që të tre shtetet kanë interes të blejnë nga SHBA, mund të porositet si një blerje e vetme, duke përdorur legjislacionin e secilit vend, por sasia dhe koha e dorëzimit duhet të përcaktohen së bashku, sepse kur blen më shumë nga SHBA, kushton më lirë dhe arrin më shpejt,” tha Maqedonci për Radion Evropa e Lirë.

Këto blerje pritet të financohen nga fondet kombëtare të secilit shtet.

Maqedonci pret që shtetet partnere në këtë marrëveshje ta ndihmojnë Kosovën në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, sidomos për anëtarësimin në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Qeveria kroate më herët ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se kësaj nisme mund t’i bashkohen edhe vende të tjera që duan të ofrojnë mbështetje për Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e tyre evropiane dhe euroatlantike.

Deri tani, nuk është bërë e ditur zyrtarisht nëse ndonjë vend tjetër do t’i bashkohet këtij bashkëpunimi.

Sipas Qeverisë kroate, qëllimi i bashkëpunimit “nuk është krijimi i ndonjë aleance ushtarake” dhe se “një aleancë e tillë, përveç anëtarësimit në NATO, nuk është as e nevojshme.”

Pritshmëritë nga marrëveshja

Përveç bashkëpunimit në industrinë e armëve, shtetet pritet të zhvillojnë ushtrime ushtarake bilaterale e trilaterale, si dhe të bashkëpunojnë në rekrutimin e personelit duke rritur mundësitë arsimore në akademitë dhe kolegjet ushtarake.

Do të ketë gjithashtu angazhim të përbashkët për të luftuar kërcënimet hibride, “përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat dezinformuese dhe ndikimin e huaj malign që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale.”

Parashihet që midis shteteve partnere të shkëmbehen informacione dhe shërbime inteligjente për parandalimin e sfidave të përbashkëta.

Maqedonci tha se kjo marrëveshje është mirëpritur në Pentagon gjatë vizitës së tij në SHBA në qershor të këtij viti.

“Ata e panë si një mundësi të mirë për bashkëpunim rajonal për të adresuar sfidat,” tha ai, duke shtuar se kanë marrë mbështetje edhe nga shumë vende të NATO-s, pa i specifikuar ato.

Megjithatë, Serbia e ka kundërshtuar këtë bashkëpunim. Presidenti Aleksandar Vuçiç tha se po shkelet marrëveshja nën-rajonale e vitit 1996, e cila rregullon kuotat e lejuara të armatimeve dhe që u nënshkrua në atë kohë nga dy entitetet e Bosnjë dhe Hercegovinës – Federata e Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Republika Sërpska – si dhe nga Kroacia dhe Republika Federale e Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi).

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Atlantiku

Author

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme