Komuniteti shqiptaro-amerikan në Michigan është tronditur nga një akt vandalizmi ndaj Manastirit Shqiptaro-Amerikan në qytetin Taylor, ku një person i panjohur ka dëmtuar pronën fetare, duke shkaktuar zemërim dhe shqetësim të madh.
Ishte banori shqiptar i zonës, Orlando Kamaj, ai që zbuloi ngjarjen teksa po shëtiste me familjen. Ai vuri re copëza të thyera të një xhami të pikturuar të hedhura në trotuar. “Pashë një nga dritaret e thyera” tha Kamaj. “Nuk mund të them me siguri nëse ishte një akt urrejtjeje fetare apo jo.”
Dëmtimet nuk u ndalën vetëm te xhami – edhe mauzoleumi i manastirit u dëmtua. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë autorin duke u afruar pranë objektit rreth orës 16:30 pasdite, por ende nuk ka pasur ndonjë arrestim.
Policia e Taylor-it ka nisur hetimet dhe nuk përjashton mundësinë që të jetë një krim urrejtjeje. “Në varësi të motivit të autorit, mund të jetë” deklaroi detektivi Frank Canning. “Jemi shumë të interesuar të identifikojmë këtë person.”
Komuniteti shqiptar në Downriver po kërkon drejtësi dhe siguri për vendet e shenjta të tyre. Kushdo që ka informacion, lutet të kontaktojë Policinë e Taylor në (734) 374-1420.







