Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dorëzuar atletes Gega medaljen “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike”
Atletja shqiptare, Luiza Gega, e cila u shpall kampione e Evropës në 3.000 metra me pengesa në garën në Kampionatin Evropian të Atletikës në Gjermani, është vlerësuar me medaljen “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike”.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka dorëzuar atletes Gega medaljen në një ceremoni të organizuar në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë dhe personaliteteve nga fusha të ndryshme.
Në fjalën e tij në ceremoni, kryeministri Rama tha se Luiza i ka dhënë sportit dhe Shqipërisë, letra të reja fisnikërie.
“Sipërmarrja e saj është marramendëse dhe kur flasim dhe mendojmë që çfarë i dhuroi Luiza Shqipërisë, imazhin e një Shqipërie që ia del, që ia del me kokën lart mes të gjithë të tjerëve”, u shpreh Rama.
Rama shtoi se medalja “Kordoni i Madh i Yllit të Mirënjohjes Publike” është thjeshtë shprehja e përulur e admirimit, respektit dhe mirënjohjes.
Atletja Gega në fjalën e saj tha se sot ndihet më e emocionuar se kurrë. “Vendosa të vij me ngjyrat kuqezi sepse ndihem më krenare se kurrë. Ndihem e nderuar dhe vlerësuar për këtë ditë”, u shpreh Gega.
Para ceremonisë së vlerësimit të saj, kampionia e Evropës në atletikë, Luiza Gega, u prit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë mes entuziazmit të qytetarëve.
Luiza Gega fitoi disa ditë më parë medaljen e artë në Kampionatin Evropian të Atletikës në garën në 3.000 metra me pengesa dhe u shpall kampione e Evropës.