Search
Close this search box.

Hovenier ia rikujton Rakiqit qëndrimin e SHBA-së për Radoiçiqin

Shpërndaje

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, u takua me kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, të cilit, siç tha ai, ia rikujtoi qëndrimet e SHBA-së për disa çështje, përfshirë edhe atë për nënkryetari e kësaj partie, Milan Radoiçiqin.

Takimi i 4 gushtit u mbajt pas ngjarjeve të ditëve të fundit në veri, ku më 31 korrik, serbët lokalë vendosën barrikada në dy rrugët që çojnë për në pikat kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Kjo protestë pasoi vendimin e Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitet për hyrje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, si dhe për mundësinë e riregjistrimit të veturave me targat e qyteteve në Kosovë – të cilat i lëshojnë autoritetet e Serbisë – me ato RKS, që do të niste të zbatohej nga 1 gushti.

Pas tensioneve, bllokimit të rrugëve në veri dhe ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova u pajtua që të shtynte lëshimin e formularëve për shtetasit serbë deri në fillim të shtatorit, si dhe periudhën dymujore për riregjistrimin e targave.

Ambasadori amerikan, Hovenier, pas takimit me Rakiqin tha se masat e recipritetit janë legjitime dhe se takimi i Brukselit mes liderëve të të dyjave vendeve duhet të ndihmojë në uljen e tensioneve.

“I kujtova disa nga qëndrimet e SHBA-së për disa nga çështjet që përfshijnë masat e reciprocitetit që Qeveria e Kosovës ka dashur t’i vendosë. Nga këndvështrimi ynë ato janë në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe janë legjitime”, tha ambasadori Hovenier.

“Ne, gjithashtu, folëm për rëndësinë që të sigurohemi që shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës të përfshihen në këto bisedime dhe të jenë një element se si do të vazhdojnë gjërat”, tha Hovenier.

Ambasadori tha se në takimin mes presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel, më vonë gjatë këtij muaji, ata duhet të shikojnë si të arrijnë t’i ulin tensionet në disa prej çështjeve.

Hovenier përsëriti qëndrimin e SHBA-së për Milan Radoiçiqin.

“Më duhet t’u kujtoj njerëzve se, nga këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara, z. Milan Radoiçiq, është sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara në bazë të informacionit tonë për lidhjet e tij me krimin e organizuar transnacional dhe korrupsionin. I tregova atij që, ju e dini, pikëpamja e Shteteve të Bashkuara për këtë individ është tashmë e njohur”, theksoi Hovenier.

Një ditë më herët, Lista Serbe tha se Radoiçiq ishte i pranishëm më 31 korrik në barrikadat e ngritura në këtë pjesë të vendit.

Radoiçiq kërkohet nga autoritetet në Kosovë për dyshime se është përfshirë në frikësimin e dëshmitarëve në çështjen e njohur si “Brezovica”.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme