Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Karen Donfried ka reaguar për akuzat ndaj ambasadores, Yuri Kim se po ndërhyn në politikën shqiptare.
Zyrtarja e lartë e DASH gjatë një interviste tha se Biden dhe Blinken kanë ‘besim të plotë tek ambasadorja Yuri Kim’.
“Është një kënaqësi e madhe që kemi njerëz të kalibrit të saj dhe me integritetin e saj në qeverinë e SHBA-së. Dhe mendoj që edhe ky vend, Shqipëria, nuk mund të kishte më shumë fat se sa të ketë atë si përfaqësuese të vendit tim”, tha Donfried.
Gjatë vizitës në Tiranë, zyrtarja e DASH pati sot takime me kryeministrin Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës.
Ndihmës Sekretarja thotë se ka takuar Enkelejd Alibeaj, Gazmend Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilët i konsideron si drejtues të opozitës duke shpjeguar se biseda ishte përqendruar jo te e kaluara, por tek e ardhmja.
Donfried nënvizoi qëndrimin e njohur se zyrtarët amerikanë nuk mund të takohen me persona të shpallur ‘non grata’, siç është rasti i ish-kryeministrit Berisha.