Fitore Duma, një nënë me katër fëmijë nga Shkodra, jeton në Çikago prej 26 vitesh pasi emigroi në SHBA përmes llotarisë amerikane. Sot, biznesi i saj, Fitore Uniforms, është ndër më të njohurit për furnizimin e policisë, veçanërisht për Policinë e Çikagos. Por rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë.
“Vështirësia më e madhe është gjuha,” kujton Fitore. “Pesë vjet absolutisht e humbur, nuk merr vesh çfarë thonë, nuk i merr vesh se çfarë kërkojnë, ose nuk je e zonja të shprehësh mendime. Por gjithçka kaloi, them se mirë dhe ja ku jam sot. Gjithmonë ëndrra amerikane.”
Ishte talenti i saj në qepje që i hapi rrugën. Fillimisht, ajo punoi për 16 vjet në një dyqan që shiste uniforma policie. “Më morën në punë në një dyqan që shiste roba të policisë së Çikagos, e pas 16 vjetëve u shkëputa e i thashë vetes mund të bësh diçka tjetër në jetë. Shkova në një fushë tjetër për dy vjet dhe më mungonte qepja—fusha që doja të filloja nuk e kisha qejf. Jam rritur me makinë qepëse dhe klientët më kërkonin, ‘Ku ike? Më duhet mbulesa e jelekut antiplumb,’ më thoshin. U detyrova me kënaqësi me ardh prapë në këtë fushë dhe është absolutisht ëndërr për mua” rrëfen ajo.
Fillimi i biznesit të saj nuk ishte i lehtë. “Më duheshin shtatë vjet për të krijuar biznesin tim,” thotë ajo. “Por e arrita falë dashurisë për profesionin, vullnetit dhe motivimit për të pasur sukses.”
Edhe pse është e suksesshme, Fitore është realiste për të ardhmen e biznesit të saj. “Dhe dhjetë vjet do ta bëj, por nuk e shoh që fëmijët do ta marrin përsipër, sidomos qepjen. Mund të marrin dyqanin, por jo qepjen” thotë ajo.
Lidhja e saj me policinë shkon përtej biznesit. Vajza e Fitores është pjesë e policisë së Çikagos, një profesion që, sipas saj, përfshin edhe efektivë të tjerë shqiptarë.