Shkalla e edukimit dhe niveli i përfshirjes në industri të ndryshme profesionale i grave shqiptaro-amerikane është në rritje.
Ato janë të etura për njohuri dhe karrierë të suksesshme, thotë Betira Shahollari nga organizata “Albanian Professional Women”.
“Ne e dimë se gratë shqiptare janë shumë ambicioze. Ato janë të vendosura të arrijnë diçka për veten e tyre, të ndërtojnë karriera të suksesshme dhe të bëjnë krenarë prindërit që sakrifikuan duke emigruar në Shtetet e Bashkuara”, thotë ajo në një intervistë me shkrim për Atlantikun.
“Këto gra japin 100 përqind nga vetja e tyre dhe janë të përkushtuara për të avancuar rolin e tyre në shoqëri dhe komunitet”, shton ajo.
Fuqizimi i rolit të grave profesoiniste shqiptaro-amerikane është në thelb të misionit të organizatës “Albanian Professional Women” të cilën Shahollari e hapi më 2020.
“Besoj se gratë shqiptare përballen me sfidat e njëjta me të cilat ballafaqohen gratë në përgjithësi, pa marrë parasysh prej nga vijnë ato. Sidoqoftë, mendoj se shqiptaro-amerikanet përballen me disa sfida të veçanta. E para është fakti se kemi emigruar në SHBA, qofshim ne që kemi ardhur të parët apo prindërit tanë. Kjo nënkupton se shumë gjëra është dashur t’i mësojmë vetë. Mungesa e mbështetjes grupore më shtyu që të krijoj organizatën e grave profesioniste shqiptare”, thotë Shahollari.
Ajo thotë se rëndësi të madhe në një rrugëtim të suksesshëm të një gruaje, ka edhe mbështetja e partnerit.
“Duhet një partner që mbështet gruan, e kupton dhe inkurajon atë për të vazhduar karrierën e saj. Duhet një partner që e pranon se gratë kanë ëndrrat, qëllimet dhe ambiciet e tyre, që e kupton rolin e tyre në shoqërinë tonë dhe që e ndihmon atë në arritjen e qëllimit”, thotë ajo ndërsa shton se “gruas i nevojitet një partner që ndihmon në mënyrë të barabartë në punët e shtëpisë dhe obligimet familjare. Është e vështirë të jesh një nënë që kujdesesh për familjen dhe ndjek karrierën, prandaj mbështetja e partnerit është esenciale dhe shumë e rëndësishme”.
Organizata që Shahollari drejton ka zhvilluar disa takime, shumica prej të cilave virtuale, me gra shqiptaro-amerikane që gëzojnë sukses në karriera të ndryshme ose që synojnë të arrijnë në një fushë të caktuar.
“Dëgjojmë histori rreth sfidave me të cilat përballen gratë emigrante ose fëmijët e emigrantëve për të depërtuar në mjediset e edukimit dhe ato profesionale. Dëgjojmë histori për sfida që një grua përjeton kur ndodhet e vetme në një zyre me burra, trajtimin diskriminues dhe të pabarabartë”, thotë Shahollari.
Kush është drejtuesja e organizatës “Albanian Professional Women”
Betira Shahollari erdhi nga Shqipëria në ShBA në moshën 14 vjeçare, kur familja e saj vendosi të largohet nga Tirana për t’u shpërngulur në Michigan të Shteteve të Bashkuara. Ajo mbaroi studimet universitare për financa në Universitetin e Oakland-it. Sot ajo punon për kompaninë e njohur të shërbimeve financiare, Ally Financial. Roli i saj është studimi i tregjeve kapitale dhe investimeve të kompanisë.
Ajo thotë se gjithë karrierën e saj kishte një ëndërr, që të ndihmonte komunitetin shqiptaro-amerikan.
Këshilla për gratë nga Betira Shahollari
- Besoni në vetëvete dhe mos u ndalni. Është e stërthënë, por kështu duhet të jetë fillimi juaj. Ajo që i dallon gratë që arrijnë me ato që dështojnë, është se gratë e suksesshme nuk ngurrojnë të bëjnë hapin e parë. Shumë njerëz kanë ide interesante, por kurrë nuk fillojnë të punojnë në atë drejtim për shkak të frikës.
- Kurrë mos u ndalni së mësuari. Një udhëheqëse e mirë është gjithmonë duke mësuar, duke dëgjuar të tjerët, duke pranuar përshtypjet dhe duke menduar për mënyra që mund ta ndihmojnë për të arritur potencialin e plotë.
- Rrethojeni veten me një rrjet të grave që të inspirojnë dhe të shtyjnë të bësh më të mirën tënde. Është shumë e rëndësishme të kesh rreth vetes një grup njerëzish me të cilët mund këshillohesh ose të bisedosh kur të brengos diçka.
- Nganjëherë nuk ka rëndësi çfarë dimë por kë e njohiim. Jepi vetes kohë të lidhesh me njerëz me të cilët mund të bashkëpunosh kur ke nevojë për ndihmë. Të gjithë kanë nevojë për ndihmë, qofshin burra apo gra, në rrugëtimin e tyre për të zhvilluar një karrierë të sukssesshme.
View this profile on Instagram
Albanian Professional Women (@albanian_professional_women) • Instagram photos and videos
Atlantiku.com do të sjell çdo ditë artikuj nga jeta e shqiptaro-amerikanëve. Nëse dëshironi të ndani rrëfimin tuaj me lexuesit e Atlantikut, nga shrkuani në info@atlantiku.com