E lindur dhe rritur në Deçan, Sabrina Lekaj, afer 10 vite më parë, vendosi të largohej nga Kosova.
Ajo u zhvendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendim ky mjaft i vështirë për Sabrinen, e cila la në gjysmë karrierën si gazetare, dhe angazhimin si koordinatore e Qendres Rinore Peja, për të nisur gjithçka nga e para në New York.
“Për disa arsye personale vendosa të largohem drejt Shteteve të Bashkuara më 2014, një vendim aspak i lehtë. Të lësh pas gjithçka që ke ndërtuar për 25 vite, nuk është e lehtë, por kohët e vështira kërkojnë vendime të vështira. Erdha në qytetin e New York-ut ku motra jetonte për mbi dy dekada, një vend që e kam vizituar disa herë, por jetesa këtu është diçka tjetër. Për një kohë të gjatë më dukej se jeta ime ishte në një pauzë”, thotë Sabrina Lekaj në një intervistë për Atlantikun.
Vetëm një vit më vonë, rrugëtimi i saj në tokën e premtuar, mori kthesë të trishtë.
“Më 2015, një vit pasi erdha këtu, humba motrën. Hana 35 vjeçare, jetonte në Suedi me dy fëmijët e saj dhe burrin. Ishte afër pjesës tjetër të familjes sime, vëllait me familjen e tij dhe nënës. Vdekja e motrës përmbysi jetën time. Edhe më parë kisha humbur njerëz të dashur. Nga viti 2000 deri më 2004 kam humbur gjyshen, xhaxhain dhe babain. Por asnjë tragjedi nuk të përgatit për humbjen e motrës. Nga ajo ditë asgjë nuk kishte kuptim. Asgjë!”.
Humbja e motrës, e trazoi gjendjen fizike dhe mendore të Sabrinës. Gjatë asaj kohe të vështirë, ushtrimet fizike dhe joga ishin ngushëllimi i saj më i madh.
Ajo thotë se praktikimi i Jogës i dha një arsye për të vazhduar para, për të çliruar stresin, zemërimin dhe trishtimin që kishte brenda, pas të gjitha ngjarjeve që kishte përjetuar.
“Për një kohë të gjatë, ushtrimet fizike ishin e vetmja mënyrë e imja për të ikur nga realiteti. Pastaj gjeta Jogën. Isha e rrethuar me njerëz që kishin përjetuar trauma të ndryshme në jetë dhe përdornin disiplinat e Jogës për të gjetur kuptim për jetën e tyre. Joga më dha arsye për të shikuar përpara, të largoja stresin, zemërimin dhe mërzinë që ndjeja pas gjithçkaje që kisha përjetuar”, rrëfen Sabrina ndërsa shton se “joga më ndihmoi kur më së shumti kisha nevojë. Më jep një ndjenjë emocionale, paqe dhe fuqi fizike. Varet shumë nga ajo që do të përmirësosh në jetën tënde”.
Duke i parë benefitet e mëdha të jogës, Sabrina vendosi të bëhej instruktore e jogës, në mënyrë që të ndihmonte edhe të tjerët që të gjenin paqe shpirtërore dhe të përmirësonin gjendjen e tyre fizike.
Tani ajo punon si instruktore e Jogës në qytetin e New York-ut.
“Tani punoj si instruktore e jogës me orarë të plotë. I mësoj të tjerët për joga në disa institucione dhe kurse private. Shumica e klasëve të jogës fillojnë herët në mëngjes ose vonë pasdite”, shpejgon ajo.
Por, cilat janë disa nga benefitet më të mëdha gjatë praktikimit të Jogës?
Sabrina thotë se joga përmes aktiviteteve fizike, teknikave të frymëmarrjes, koncentrimit dhe meditimit ndihmon në çlirimin e ngarkesës fizike dhe emocionale, ndërsa shton se duke praktikuar jogën ju i jepni kujdesin e duhur mendjes dhe trupit tuaj.
Ajo thotë se për të përfituar nga joga nuk duhet që domosdoshmërisht të kuptoni ose praktikoni pjesën shpirtërore të saj.
Instruktorja Lekaj, thotë për Atlantikun se të jetosh me Joga në një qytet si New York-u, nuk është e lehtë, por, me punë e përkushtim, mund të arrihet.
Ajo më tutje shton se një orë si instruktore e Jogës, paguhet prej 35 deri në 55 dollarë, ndërsa për grupe private, çmimi shkon deri në 125 dollarë për orë.
Mesazh nga Sabrina Lekaj, instruktore e jogës në New York
“Vitet e fundit na mësuan se duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi vetes dhe njerëzve që na rrethojnë. Të gjithë atyre që po e lexojnë këtë artikull u sugjeroj që të gjejnë një aktivitet që ju ofron me qenien tuaj. Diçka që ju ndihmon të kuptoni atë që dëshironi nga jeta, diçka që ju ndihmon të përballoni stresin e ditës dhe punës dhe ju ndihmon të jetoni në harmoni me veten tuaj dhe njerëzit që ju rrethojnë. Mua, të gjitha këto mi dha joga”.
Llogaria në instagram e Sabrina Lekaj:
Atlantiku.com do të sjell çdo ditë artikuj nga jeta e shqiptaro-amerikanëve. Nëse dëshironi të ndani rrëfimin tuaj me lexuesit e Atlantikut, na shkruani në info@atlantiku.com