Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar të dielën komunitetin Shqiptaro-Amerikan në New York.
Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, shefja e shtetit në Kosovë e cilësoi mërgatën në Amerikë si kontributdhënëse vendimtare.
“Në New York, takuam shumë bashkatdhetarë tanë, të cilët ndër vite i kanë dhënë hov e mbështetje të jashtëzakonshme luftës sonë për liri. Në emër të të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës i falënderova për kontributin e dhënë ndër dekada dhe pa të cilin nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Kosova aspiron integrimin euroatlantik, BE-në, NATO-n dhe OKB-në, ndaj kontributi i mërgatës sonë në Amerikë dhe gjithandej siç ishte vendimtar dikur, është përcaktues edhe sot. Me mbështetjen e mërgatës sonë të çmuar, Kosova do të jetë më e fuqishme përbrenda, e më e konsoliduar në aspektin ndërkombëtar.” shkroi Osmani./Atlantiku