Ish pjesëtarët e Batalionit Atlantiku dhe Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York bënë homazhe pranë varrezave të vëllezëve Bytyqi, në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sot u bashkuam në Prekazin e New York-ut, për nder të sacrificës dhe gurthemelit të shtetit të Kosovës, shtetit që filloi të lindte më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 në Prekazin legjendar të Adem Jasharit”, shkroi në Facebook shqiptaro-amerikani Blerim Gjocaj.
Vëllezërit Bytyqi kishin lënë Amerikën, për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së, Pas luftës ata u arrestuan në kufirin Kosovë – Serbi dhe pas disa ditësh zyrtarisht u liruan, por nga ai moment u zhdukën. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre. Pas dy vjetësh, mbetjet mortore të tyre ishin gjetur në Petrovo Selo.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se ky krim, nuk është harruar dhe nuk do të harrohet.
“Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi, u zhdukën ndërsa ishin në paraburgim të policisë speciale serbe. Trupat e tyre u zbuluan më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore, nën kontrollin e një njësie të udhëhequr nga Goran Radosavljeviq – Guri. Vëllezërit Bytyqi u ekzekutuan, u qëlluan në kokë me duart e lidhura pas shpine, megjithatë pas më shumë se dy dekadash nuk ka pasur një hetim të plotë. Ne nuk mund dhe nuk do ta harrojmë këtë krim”, thuhej në një komunikatë të Ambasadës Amerikane në Beograd me rastin e 22 vjetorit të vrasjes së tyre.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë bërë të ditur Serbisë, se hetimi për vrasjen e vëllezërve shqiptarë me shtetësi amerikane dhe dënimi i përgjegjësve për këtë krim, mbetet një prej prioriteteve për marrëdhënie të mira mes këtyre dy vendeve.