Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim foli sot në konferencën “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane: e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja”, mbajtur në nder të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve zyrtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Konferenca, e organizuar nga Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare dhe e mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë, mblodhi së bashku diplomatë, historianë, studiues dhe ekspertë nga fusha të ndryshme, shqiptarë dhe amerikanë, të cilët diskutuan momente historike të marrëdhënieve midis vendeve tona.
Duke iu drejtuar konferencës krahas Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim tha se “gjatë 31 viteve të fundit, shqiptarët e kanë nxjerrë vendin e tyre nga hijet e errëta të diktaturës dhe komunizmit për të ndërtuar një vend me të vërtetë të lirë, me të vërtetë demokratik dhe gjithnjë e më të begatë. Shtetet e Bashkuara kanë qenë krenare që kanë qënë pranë jush për të ndihmuar sa mundemi, krah për krah, ndërsa ju ecni në rrugëtimin tuaj… Ne jemi jashtëzakonisht krenarë dhe duam të vazhdojmë t’ju ndihmojmë në këto momente kyçe, që të vazhdoni të ecni përpara. Kjo është arsyeja përse ne e vëmë kaq shumë theksin në mbështetjen tonë për përpjekjen e Shqipërisë për të reformuar sistemin e saj gjyqësor dhe për të çliruar këtë shoqëri, këtë vend, nga korrupsioni”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara Christopher Hill, ish-Zëvendës Ambasador, iu drejtua konferencës përmes një video-mesazhi dhe ndau kujtimet e tij për mbërritjen dhe punën e tij në Tiranë pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 1991.