Paraditen e së shtunës filloi protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan para selisë së misionit rus në Kombet e Bashkuara, për të kundërshtuar sulmin rus kundër Ukrainës. Protestës që do të zgjasë tri orë, i janë bashkangjitur edhe komuniteti ukrainas në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo tragjedi na kujton gjenocidin serb dhe krimet kundër shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë. Shqiptaro-amerikanët kanë një detyrim moral për të mbështetur dheqëndruar pranë mikut tonë Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe popullit ukrainas në luftën kundër krimeve ruse”, ka shkruar Mark Gjonaj në Facebook.
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara sulmet ruse në Ukrainë kanë shkaktuar vdekjen e gati 600 civilëve, në mesin e të cilëve edhe shumë fëmijë. Miliona njerëz janë dëbuar nga pronat e tyre, duke lënë pas shtëpinë e shkatërruara nga agresioni i udhëhequr nga presidenti rus Vladimir Putin. /Atlantiku