Search
Close this search box.

Atlantiku, një dritare e re e informimit për komunitetin shqiptaro-amerikan

Shpërndaje

Numri i shqiptarëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara nuk dihet saktësisht. Por, sipas të dhënave jozyrtare, besohet se numri i tyre mund të arrijë në rreth 1 milion. Nxitur nga kjo shifër dhe rëndësia e informimit të saktë të tyre rreth zhvillimeve të fundit në botë dhe rajonin prej nga ata vijnë, aktivistë dhe entuziastë të gazetarisë në SHBA nisën një projekt të ri, Atlantikun.

Atlantiku është një dritare e re e informimit për komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Atlantiku do të sjell çdo ditë të rejat e fundit nga jeta e shqiptaro-amerikanëve. Këtu keni mundësi të shfletoni histori suksesi dhe rrëfime frymëzuese nga shqiptarë të njohur, të suksesshëm dhe të tjerë që janë duke ndjekur ëndrrat e tyre, sepse kjo edhe është arsyeja pse shqiptarët emigruan drejt SHBA-së. Këto histori nuk duhet të mbeten të padëgjuara. Sfidat nëpër të cilat kaloi komuniteti shqiptar në SHBA do të ndihmojnë të tjerët për t’u rritur e zhvilluar. Ky edhe është njëri nga qëllimet kryesore të Atlantikut.

“Ne do të sjellim për lexuesit tanë histori të padëgjuara më parë, rrëfime të jashtëzakonshme që ne këtu i dëgjojmë dhe shohim çdo ditë. Ka nevojë që ato histori të përhapen dhe inspirojnë të tjerët të ndjekin ata shembuj dhe të realizojnë ëndrrat e tyre”, thotë shqiptaro-amerikani Faton Gjuka, drejtues i bordit të Atlantikut.

Roli i komunitetit shqiptaro-amerikan në çështjen shqiptare është i pashembullt. Në veçanti gjatë luftës së viteve 98-99 në Kosovë, shqiptarët e Amerikës dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Atlantiku do të mundësojë përfshirjen e shqiptaro-amerikanëve në diskutimet rreth temave me rëndësi jetike, përmes analizave të çështjeve që lidhen me kauzën shqiptare. Ne do t’u mundësojmë shqiptaro-amerikanëve të suksesshëm ekspertë të fushave të caktuara, të shprehin pikëpamjet dhe reagimet e tyre lidhur me zhvillimet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

“Komuniteti do të ketë një dritare për të shprehur opinionet kurdo që në vendet shqipfolëse ka një zhvillim të rëndësishëm. Ne synojmë që artikujt ku shqiptaro-amerikanët shprehin pikëpamjet e tyre, të marrin vëmendje në vendet tona të origjinës dhe të shpërndahen gjerësisht edhe në mediumet tjera shqiptare. Në këtë formë, Atlantiku synon të ketë ndikimin e tij në debatet publike për çështje me rëndësi të madhe si dialogu Kosovë-Serbi, të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e shumë zhvillime tjera të rëndësishme për mbarë popullin shqiptar”, thotë Alketa Godanci, gazetare në Atlantiku.

Atlantiku është një emër i njohur për shqiptarët e Amerikës. Këtë emër e mbajtën me krenari shqiptaro-amerikanët në kohën e luftës në Kosovë. Roli që luajti Batalioni Atlantiku duhet të ruhet me zili në historinë shqiptare dhe ne jemi të lumtur që do të kemi rast të japim kontributin tonë në këtë drejtim. Ndryshe, Atlanticizmi është një filozofi politike që beson në domosdoshmërinë e bashkëpunimit midis Amerikës Veriore dhe Evropës, atje ku edhe ndodhen vendet tona të origjinës. NATO njihet ndryshe edhe si aleanca veri-atlantike, që është kujdestare e demokracisë në botë. Duke e pasur këtë emër të madh, për Atlantikun është përgjegjësi shtesë.

Në Atlantiku lexuesit do të informohen edhe rreth zhvillimeve të fundit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i ZI, Presheva, Medvegja, Bujanoci dhe të gjitha vendet tjera ku jetojnë shqiptarë. Por, pa humbur fokusin tonë, shqiptaro-amerikanët, sepse Atlantiku i dedikohet këtij komuniteti.

Krahas kësaj, Atlantiku do t’u kushtojë vëmendje çështjeve me rëndësi për shoqërinë shqiptare, si të drejtat e grave dhe komuniteti LGBT. Në bashkëpunim me ekspertë dhe studiues të ndryshëm Atlantiku do të jetë zë i viktimave të dhunës dhe abuzimit, në veçanti atyre që janë pjesë e komunitetit shqiptaro-amerikan por pa lënë anash edhe të dhënat shqetësuese në vendet tona të origjinës.

“Mendoj se duhet ta edukojmë veten se çfarë është dhuna në familje. Kjo na ndihmon të kuptojmë kur dikush po përjeton dhunë në familje sepse vetëm kështu mund të ndihmojmë veten dhe familjet tona. Duhet ta dënojmë dhunën në familje. Më duhet  të them se gratë dhe burrat shqiptarë duan të jenë në anën e së drejtës. Për ta zbërthyer dhunën në familje në komunitetin tonë, ne nuk mund të injorojmë historinë, kulturën, traditat dhe stigmën e trajtimit të shëndetit mendor. Duhet të ecim përpara dhe të jemi model më i mirë për fëmijët tanë”, thotë Anila Duro, profesore në kolegjin John Jay në New York dhe bashkëpunëtore e Atlantikut në rubrikën aktivizëm.

Ky është fillimi i rrugëtimit të Atlantikut, një fillim që nuk do të ketë fund dhe vazhdimisht do të jetë dritare e besueshme e juaja për informim dhe një portë e hapur kur ju keni çfarë të thoni.

Ne ju ftojmë të na bashkoheni në rrugëtimin tonë, sepse vetëm ashtu mund të jemi më të suksesshëm. Atlantiku është i hapur për kritikat dhe vërejtjet tuaja, sepse vetëm ashtu mund të përmirësohemi.

Nëse dëshironi të ndani rrëfimin tuaj me lexuesit e Atlantikut, mos hezitoni por na shkruani në info@atlantiku.com

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Atlantiku

Author

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme