Në Shqipëri, të rinjtë gjithnjë e më shumë po zgjedhin të studiojnë jashtë vendit, në universitetet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Deri në fund të vitit akademik 2023-2024, rreth 14,000 të rinj shqiptarë studiuan jashtë vendit, ku më shumë se 1,000 prej tyre ndoqën universitetet amerikane. Kjo është historia e Arbrit Kopliku, një i ri nga Shkodra, i cili, pasi përfundoi me sukses studimet në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets (MIT) në Boston, tani po përgatitet të ndjekë studimet për doktoraturë në Shkollën Mjekësore të Harvardit.
Për të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Europë dhe Amerikë, pushimet verore në vendlindje po mbarojnë dhe së shpejti ata do të rikthehen në studime. Arbri Kopliku, një i ri nga Shkodra, së shpejti do të udhëtojë drejt SHBA-së për të vazhduar studimet. Gjatë katër viteve të kaluara, ai përfundoi studimet në Bio-Inxhinieri me rezultate të shkëlqyera në MIT, dhe në ditët e para të shtatorit do të nisë studimet për doktoraturë në Universitetin e Harvardit.
“Do të rikthehem në Amerikë, prap në Boston, për të filluar studimet për doktoraturë në një program të përbashkët mes Shkollës Mjekësore të Harvardit dhe MIT-it, ku përfundova bachelorin. Do të studioj për inxhinieri mjekësore dhe specifikisht do të punoj në një laborator që zhvillon trajtime të reja të personalizuara në një shkallë nano, veçanërisht për kancerin, por që mund të përshtaten për trajtimin e llojeve të ndryshme të kancerit duke përdorur të njëjtën teknologji” tregon ai për Zërin e Amerikës.
Arbri thotë se përvoja që fitoi në MIT ishte unike për të si student, pasi studimi në një nga universitetet më të mira në botë i ofroi mundësinë të jetë në hap me zhvillimet më të fundit në kërkimin shkencor, të zgjedhë lëndët dhe të komunikojë me profesorë që ishin në frontin e parë të imunologjisë dhe luftës kundër COVID-19. Mbi të gjitha, kjo i dha mundësinë të përfshihet në praktika laboratorike dhe të punojë me kompani të famshme botërore.
“Ishte periudha pas COVID-it,” thotë ai, “dhe kjo ndikoi në drejtimin e fokusit shkencor. Laboratorët me rritjen më të shpejtë ishin ata që prodhonin antitrupa dhe vaksina dhe po përparonin ndjeshëm në kërkimin shkencor, veçanërisht për sëmundjet infektive.”
Kjo e ndihmoi atë të përfshihet në kërkimin shkencor dhe të zbatojë njohuritë teorike përmes projekteve madhore me disa nga kompanitë më të njohura në Amerikë, ku ai zhvilloi praktikat e tij.
“Hera e parë ishte tek kompania Moderna, që është edhe kompania që prodhoi vaksinën kundër COVID-it dhe shumë produkte të tjera. Puna ime ishte të testoja lloje të ndryshme kombinimesh të ARN-së, që ishte përmbajtja e vaksinës, për t’i bërë vaksinat më të qëndrueshme ndaj temperaturave të larta dhe më të lehta për t’u prodhuar. Më pas, verën pas kësaj, u futa në një fushë krejt tjetër, çuditërisht shumë e përshtatshme me edukimin që kisha marrë në shkollë, por që fokusohej në pajisjet biomjekësore. Kompania prodhonte pajisje për diabetin, për sëmundjet neurodegjenerative dhe për kancerin” thotë ai.
Në Boston jeton një komunitet i madh shqiptarësh, mes të cilëve edhe të rinj nga trojet shqipfolëse, të cilët studiojnë në universitetet e Bostonit. Kjo, thotë Arbri, ishte një mundësi e shkëlqyer për të krijuar Shoqatën e Studentëve Shqiptarë në MIT, përmes të cilës ata marrin pjesë në panaire, ekspozita, festivale të kulturës ballkanike dhe europiane, dhe bashkëpunojnë me shoqatën “Besa” dhe Kishën e Shën Gjergjit në Boston.
Një vit më parë, së bashku me një të ri shqiptar që studion në Kanada, ata themeluan organizatën jofitimprurëse “Albanian Trailblazers,” e cila ofron mentorim dhe mbështetje për të rinjtë shqiptarë që duan të studiojnë jashtë vendit.
“Arritëm të krijojmë një organizatë që quhet “Albanian Trailblazers,” e cila vitin që kaloi është zgjeruar shumë. Kemi arritur të krijojmë një grup për workshope ku shqiptarët e suksesshëm nëpër botë mund të vijnë, të ndajnë përvojat e tyre profesionale apo pasionet gjithashtu. Kemi krijuar një grup për ndërlidhjen e shqiptarëve me synimin që të formojmë grupe të veçanta si shqiptarët e Bostonit, të Londrës apo Austrisë dhe të arrijmë të takohemi jo vetëm virtualisht, por edhe fizikisht” tregon ai.
Studimet për doktoraturë në Universitetin e Harvardit pritet të zgjasin pothuajse gjashtë vite—një rrugë e gjatë dhe plot sfida për të riun nga Shkodra, Arbri Kopliku. Por ai ndjehet optimist se do t’i kapërcejë këto sfida, i nxitur nga synimet që ka për të ardhmen.
“Doktoratura në Amerikë zgjat rreth 5-6 vite, por duke menduar përtej kësaj, kam dëshirë që njohuritë që do të thelloj gjatë doktoraturës dhe zbulimet t’i paketoj në mënyrë që të mund të krijoj një kompani në të ardhmen. Dua të hap një kompani dhe, pse jo, të përfshij edhe Shqipërinë aq sa ajo mund të ofrojë për zhvillimin e teknologjive për kurimin e sëmundjeve të ndryshme dhe për prodhimin e produkteve biofarmaceutike.”/VOA