Njihuni me Gerë Zabelin nga fshati Rezallë e Drenicës, i riu nga Kosova që megjithë sfidat, ai punon drejt realizimit të ëndrrës së tij që një ditë të bëhet një fotograf i njohur në qytetin e ngarkuar të New York-ut.
Si erdhi Gerë Zabeli në Amerikë?
Gera thotë se lufta e viteve 98-99 në Kosovë, u mori gjithçka që kishin në fshatin e tij të lindjes në Rezallë të Drenicës. Sikur edhe shumë të tjerë në Kosovë, ai dhe familja e tij nisën gjithçka nga e para në Prishtinë. Në kryeqytet ai mbaroi shkollimin dhe filloi angazhimet e para si fotograf.
Por, e ardhmja e tij mori një drejtim të ri më 2017. Fotografi Gerë Zabeli së bashku me gruan e tij Besën, u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara pasi fituan llotarinë e Green Card-ës.
Ai thotë se nuk kishte dyshime nëse duhej apo jo të zhvendosej në ShBA. Çifti i ri u vendos në qytetin e New York-ut, një vend që njihet për shumë mundësi, por dhe shumë sfida e vështirësi.
“New York-u, sa është vend i mundësive është edhe i vështirësive dhe konkurrencës. Këtu kërkohet shumë punë, profesionalizëm dhe përkushtim, për të cilat në fund vlerësohesh”, shpjegon ai për Atlantikun.
Ai thotë se vështirësia më e madhe në fillimin e rrugëtimit amerikan ishte përshtatja me dinamikën e New York-ut.
“Ishte një sfidë shumë e madhe për ne, prej një qyteti të vogël si Prishtina, të jetojmë në një vend si New York-u, i rrethuar nga kultura të ndryshme. Një ndryshim shumë i madh në çdo aspekt të jetës”, thotë ai.
Gerë Zabeli, fotograf profesionist në New York
Ndonëse sfiduese, ai nuk hoqi dorë asnjëherë nga pasioni për të bërë fotografi.Pak kohë pas zhvendosjes në New York, Gera filloi punën si fotograf profesionist.
Në këtë qytet milionesh, përkushtimi ndaj pasionit të kahmotshëm, gjenë vlerësimin e duhur.
“Asnjëherë nuk kam pasur dështirë të jem para kamerave, por gjithmonë doja të jem ai që qëndron pas kamerave dhe fotoaparatëve”, thotë Gera ndërsa shton se “puna e pandalshme, kurreshtja për të mësuar gjëra të reja dhe të jesh i hapur ndaj kritikave” janë shtyllat që ndihmojnë formësimin profesional të një fotografi.
Inspirimi për të shkrepur fotografi
Në fokus të fotografive të Gerë Zabelit janë portretet. Diversiteti i madh në qytetin e New York-ut, ofron një mal me mundësi për një fotograf që në plan të parë ka fytyrat e njerzëve.
“E mira e fotografisë është se nuk të nevojitet një situatë e caktuar për të kapur momente të mira. Ato ndodhin në çdo sekond, minutë dhe ditë. Inspirimi të rrethon gjatë gjithë kohës. Frymëzimi shtohet kur takon njerëz të rinj dhe sheh vende të reja, përjeton emcione të mëdha. Të gjitha këto të japin më shumë vullnet për të mos e lëshuar kamerën nga dora”, thotë ai, ndërsa shton se “është shumë e vështirë të ndash një fotografi si më të preferuarën, sepse secila përcjell një emocion dhe ka një histori të veten”.
Fotografia sot, sipas Gerë Zabelit
Teknologjia, sikur në çdo industri tjetër, ka ndikuar edhe në atë të fotografisë. Miliona e miliona fotografi publikohet çdo ditë në rrjete sociale.
“Në kohën që po jetojmë jemi të bombarduar me fotografi në rrjete sociale. Është e pamundur që derisa je në rrjete sociale, të mos shohësh 3 apo 4 fotografi tepër të mira”, thotë ai.
Megjithatë, fotografi Zabeli nuk e sheh si problem për profesionin e tij faktin që çdo njeri sot mund të luaj rolin e fotografit.
“Teknologjia i ka ndihmuar shumë fotografisë edhe pse në momente të caktuara teprohet. Mendoj se profesionalizmi gjithmonë vlerësohet ndryshe”, përfundon ai.
Llogaria në Instagram e Gerë Zabelit:
Atlantiku.com do të sjell çdo ditë artikuj nga jeta e shqiptaro-amerikanëve. Nëse dëshironi të ndani rrëfimin tuaj me lexuesit e Atlantikut, nga shkruani në info@atlantiku.com