Shtatë ekonomitë më të fuqishme botërore kanë vazhduar të vendosin sanksione ndaj regjimit të Vladimir Putinit për mizoritë e tij në Ukrainë, përfshirë masakrën e Buchas.
Sipas njoftimit të Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), këto masa janë vendosur për të ndaluar investimet e reja dhe për të kufizuar aktivitetin financiar të bankës më të madhe të Rusisë, Sberbank dhe disa prej ndërmarrjeve të saj më kritike shtetërore si dhe ndaj zyrtarëve të Kremlinit.
“Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 30 aleatë dhe partnerë në të gjithë botën kanë vendosur sanksione ekonomike, më të ashprat në histori. Ekspertët parashikojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të tkurret deri në 15 për qind për vitin 2022, duke fshirë fitimet ekonomike të 15 viteve të fundit. Inflacioni tashmë po rritet mbi 15 për qind dhe parashikohet të përshpejtohet edhe më shumë”, thuhet në njoftim.
Më shumë se 600 kompani të sektorit privat janë larguar tashmë nga tregu rus.
“Zinxhirët e furnizimit në Rusi janë ndërprerë. Rusia ka shumë të ngjarë të humbasë statusin e saj si një ekonomi e madhe dhe do të vazhdojë një rënie të gjatë në izolim ekonomik, financiar dhe teknologjik. Për sa kohë që Rusia vazhdon sulmin e saj brutal ndaj Ukrainës, ne do të qëndrojmë të bashkuar me aleatët dhe partnerët tanë në vendosjen e kostove shtesë ndaj Rusisë për veprimet e saj”, vijon DASH.
Sanksionet përfshijnë institucionin më të madh financiar të Rusisë, Sberbank dhe bankës më të madhe private ruse Alfa Bank. Ky veprim do të ngrijë çdo pasuri të Sberbank dhe Alfa Bank që prek sistemin financiar të SHBA-së dhe do të ndalojë qytetarët amerikanë të bëjnë biznes me ta.
Sberbank mban gati një të tretën e aktiveve të përgjithshme të sektorit bankar rus dhe është kritik për ekonominë ruse. Alfa Bank gjithashtu është institucioni financiar më i madh privat në Rusi.
Për sa i përket ndalimit të investimeve të reja në Federatën Ruse, presidenti amerikan Joe Biden do të nënshkruajë një urdhër që përfshin një ndalim të investimeve të reja në Rusi nga personat amerikanë kudo që ndodhen, gjë që do ta izolojë më tej Rusinë nga ekonomia botërore.
Bllokimi i plotë i elitave ruse dhe anëtarëve të familjeve të tyre përfshijnë sanksionet ndaj fëmijëve të presidentit Putin, gruas dhe vajzës së ministrit të Jashtëm, Sergei Lavrov dhe anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Rusisë, duke përfshirë ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Dmitry Medvedev dhe kryeministrin aktual Mikhail Mishustin.