Presidenti amerikan Joe Biden dhe Amerika është “absolutisht” me kosovarët dhe boshnjakët. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, kur është pyetur nëse mund t’i sigurojë Bosnjën dhe Kosovën se Amerika është krah këtyre shteteve, kur dihet se tashmë Rusia dhe Kina po synojnë ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në një konferencë për media, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, është pyetur për ndikimin e Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor.
“Rusia dhe Kina përhapin shumë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Dhe presidenti është mik i boshnjakëve dhe kosovarëve. A mund t’i siguroni njerëzit atje se Amerika është ende me ta?”, ishte pyetja që mori Psaki.
“Absolutisht”, ishte përgjigjja e shkurtë e saj.
Ndërkohë, mbështetjen për këto dy shtete e garantoi dje edhe një lider perëndimor. Kancelari austriak, Karl Nehammer, në konferencën e tij për media në Prishtinë, tha se në rast të ndonjë cenimi të mundshëm të sigurisë, “Kosova dhe Bosnja e Hercegovina duhet ta dinë që s’janë vetëm”./Gazeta Express/