Tashmë nuk është e nevojshme që të pritet fundi i pranverës për të shkrirë bora, pasi rruga është tërësisht e hapur.
Paulin Polia, zotërues i një prej bujtinave në Theth thotë se ka një trend në rritje të vizitorëve.
Hapja e rrugës ka ndikuar që turizmi të jetë funksional 365 ditët e vitit.
“Pas pandemisë, 2022 ka nisur me këmbë të mbarë dhe këtë e shohim në bazë të rezervimeve.
Një nga gjërat që ka ndikuar është edhe rruga që u mbajt e hapur dhe në të njëjtën kohë është shtuar kapaciteti i akomodimit dhe numri i turistëve”, thotë ai.
Astrit Villi prej 20 vitesh është guidë turistike. Shumë e rëndësishme për të, është fakti që kërkesa për këtë zonë është gjithnjë në rritje, jo vetëm nga turistët vendas, por dhe ata të huaj.
Për drejtuesin e zonave të mbrojtura, Agim Dardha shumë e rëndësishme është që turizmi të mos jetë vetëm sezonal.
Pozitiv është fluksi i turistëve, por sërish mbeturinat janë një problematikë që të vret sytë në peizazhin e mrekullueshëm të Thethit.
“Një ndër problematikat kryesore për Thethin ngelin mbetjet, për periudhën e dimrit nuk janë bashkuar nga bashkua, as në qendër të Thethit, ku banorët disa herë janë ankuar për një rrugëzgjidhje. Por mbetje ka edhe në shtigje te Kanioni, Ujëvara, Syri i Kaltër që janë të paaksesueshme në mbledhjen e mbeturinave”, shprehet Dardha.