Republika Çeke më 29 gusht ka thirrur një takim të jashtëzakonshëm të ministrave të energjisë të Bashkimit Evropian. Ky takim vjen mes një rritjeje të çmimeve dhe shqetësimeve për furnizimet e shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia.
Ministri çek i Industrisë Jozef Sikela, vendi i të cilit aktualisht mban presidencën e radhës të bllokut, thirri takimin për 9 shtator.
Sikela tha se një zgjidhje e mundshme për të ndihmuar në lehtësimin e krizës do të ishte kufizimi i çmimit për gazin e përdorur në prodhimin e energjisë elektrike.
“Ne duhet të ndajmë çmimet e gazit nga çmimet e energjisë elektrike”, tha ai.
Blloku prej 27 vendesh ka ndërmarrë hapa për të pakësuar varësinë e tij nga importet ruse të energjisë dhe së fundmi prezantoi një plan që u bën thirrje vendeve anëtare të shkurtojnë përdorimin e gazit natyror në 15 për qind.
Plani u prezantua për t’u përgatitur për një ndalim të mundshëm të furnizimeve të gazit natyror rus, një shqetësim që është rritur me njoftimin e fundit se një tubacion kyç do të mbyllet përkohësisht për shkak të riparimit.
Roli mbizotërues i Rusisë si furnizues i energjisë për BE-në ka çuar në shqetësimet se Moska mund të kufizojë furnizimet gjatë dimrit si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të BE-së të vendosura për të ndëshkuar Rusinë për luftën e saj të paprovokuar kundër Ukrainës.