Sot do të jetë ditë zie në Kosovë, në nderim të ish-Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare.
Me vendim të Presidentes Vjosa Osmani, flamujt shtetëror do të ngrihen në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
”Në shenjë respekti shtetëror, dita e premte, datë 25 mars 2022, shpallet ditë zie në Republikën e Kosovës për të kujtuar miken e madhe të Kosovës, Madeleine Albright e cila u nda nga jeta dje. Zonja Albright e njohu dhimbjen e popullin tonë sepse edhe vet e kishte përjetuar persekutimin qysh në fëmijëri, prandaj qëndroi e vendosur kundër Millosheviqit deri në ndaljen e gjenocidit të tij në Kosovë. E përkrahi pareshtur Kosovën deri në frymën e fundit, prandaj populli i Kosovës do ta kujtojë përjetësisht”, ka thënë Presidentja Osmani.
Albright, e cila udhëhoqi diplomacinë amerikane gjatë luftës në Kosovë, konsiderohet si një prej personave që ka shtyrë përpara vendimin që NATO të ndërhynte mbi caqet ushtarake e policore serbe – ndërhyrje kjo që çoi në çlirimin e Kosovës.
Ajo ka qenë gruaja e parë e zgjedhur në pozitën e Sekretares amerikane të Shtetit më 1997.
Ajo ka shërbyer në këtë pozitë deri më vitin 2001, nën administratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Albright ka qenë Sekretare e Shtetit në kohën kur janë kryer sulmet e NATO-s mbi caqet serbe, që kanë çuar në çlirimin e Kosovës.
Për punën e saj për demokraci dhe të drejtat e njeriut, ajo më 2012 është nderuar me Medaljen Presidenciale të Lirisë, që është çmimi më i lartë civil në SHBA.
Për kontributin e saj për çlirimin e Kosovës, në Prishtinë, më 2019, në përvjetorin e 20-të të hyrjes së trupave të NATO-s, u zbulua në Prishtinë busti për nder të saj.