Mund ta quash ligjin e pasojave të padëshiruara: me luftën e tij kundër Ukrainës, Presidenti rus, Vladimir Putin e bashkoi Evropën, i dha fund kursit të pajtimit të disa shteteve të BE, i bëri të kalojnë në ilegalitet shumë prej miqve të tij të vjetër dhe i dha fund për momentin grindjes për gjëra të vogla.
Entuziazmi për unitetin e posazbuluar mund të jetë kalimtar, sepse çmimi për sanksionet e ashpra ende duhet të paguhet. Megjithëkëtë, lufta e Putinit kundër Ukrainës ka efektin e një stimuluesi jetëdhënës, majtas dhe djathtas eleminohen siguri të vjetra dhe në Evropë fryn një erë e re.
Franca: Macroni ka të drejtë dhe populistët janë në hall
Ai e ka thënë gjithmonë: që nga marrja e detyrës, presidenti francez ka predikuar se Evropa duhet të bëhet ekonomikisht më autonome dhe të jetë në gjendje të mbrohet. Kolegët e tij, të mërzitur, e kanë lënë që të flasë pa efekt. Tani del në pah se sa të drejtë kishte Emmanuel Macroni. Megjithatë, edhe ai duhet t’i pranojë tani gabimet e tij: prej kohësh francezi e ka marrë më të mirë Vladimir Putinin, duke besuar se për të ishte çështje pjesëmarrjeje dhe respekti në Evropë. Pas përpjekjes së tij të fundit të pasuksesshme për negociata në Kremlin, Macroni u ndje i mashtruar.
Por kundërshtarët e tij politikë duhet të shkëputen brenda natës nga idhulli i tyre Putin dhe nuk duan t’u kujtohen tweetet e tyre të dikurshme. Deri tani, linja pro-Putin e ish-majtistit Jean-Luc Mélenchon, populistes së djathtë Marine Le Pen dhe rivalit të ekstremit të djathtë Eric Zemmour nuk ka luajtur asnjë rol në fushatën zgjedhore. Sot, fotot e vitit 2017 ku tregohet se fushatën e saj asaj ia financoi Putini janë shumë të sikletshme për Le Pen-in. Një video e Zemmourit në rrjetet sociale, në të cilën ai vlerëson Putinin si një gjeni dhe një francez pothuajse virtual, është bërë ndërkohë një hit negativ. Dhe Mélenchoni e pranon se ai kishte gabuar për rusin. Të tre tani po flasin për bisedimet e paqes.
Hungaria: Orbani tërhiqet
Vitet e fundit, kryeministri hungarez Viktor Orban ishte kthyer në një mallkim për BE. Gjithnjë e më shumë autoritar, i korruptuar dhe antidemokrat i shpallur, hungarezi ka mbjellë mosmarrëveshje dhe ka përmbysur vendimet e përbashkëta. Goditja e shtetit ligjor në Hungari e ka vënë atë në një rrugë përplasjeje me Brukselin. Dhe kundërshtimi i tij ndaj refugjatëve ka penguar vendosjen e një politike të përbashkët migracioni.
Por këtë fundjavë, Orbani udhëtoi për në qytetin kufitar të Beregsurany, ku refugjatët nga Ukraina po vërshojnë drejt kufirit, për t’i mirëpritur dhe për t’u premtuar atyre ndihmë nga Hungaria. Sigurisht, shumë prej këtyre të ardhurve të rinj i përkasin pakicës hungareze të Karpateve, por Orbani duhej ta bënte një hap prapa.
Kryeministri tani lëkundet mes afërsisë së tij të gjatë me Putinin dhe zemërimit evropian për luftën në Ukrainë. Vetëm pak javë më parë, ai e vizitoi rusin në Kremlin, duke deklaruar se kërkesa e tij për garanci sigurie ishte legjitime dhe se sanksionet evropiane ishin kundërproduktive. Të shtunën e kaluar, zëdhënësi i tij njoftoi se Budapesti do të mbështesë të gjitha sanksionet kundër Rusisë. Viktor Orbani nuk mund të ndryshojë kursin aq shpejt sa kërkojnë zgjedhjet e ardhshme në prill, sepse opinioni publik hungarez është pro-ukrainas.
Neutralët: Suedia dhe Finlanda
Që nga Lufta e Dytë Botërore, suedezët e kanë konsideruar neutralitetin e tyre pasurinë e tyre më të vlefshme. Në parim, ata shmangën mbajtjen e anëve dhe u profilizuan si negociatorë neutralë për komunitetin ndërkombëtar. Sot, kryeministrja Magdalena Andersson tha se do t’i dorëzojë Ukrainës helmeta, jelekë mbrojtës dhe 5000 armë antitank. Dhe kërcënimit të Putinit se Suedia dhe Finlanda do të paguajnë një çmim të lartë nëse duan të anëtarësohen në NATO, Stokholmi iu përgjigj me gjakftohtësi: Ne i marrim vetë vendimet tona për politikën e sigurisë.
Finlanda gjithashtu reagoi ftohtë ndaj kërcënimeve të Putinit. Mosangazhimi i imponuar dhe ndikimi politik i Kremlinit pas Luftës së Dytë Botërore tani shikohen në mënyrë kritike atje. Dhe me 53 përqind të të anketuarve, shumica e finlandezëve tani mbështesin anëtarësimin e vendit në NATO, për herë të parë. Dëshira për t’u mbrojtur nga aleanca ushtarake perëndimore duket më e rëndësishme se tradita e djeshme e neutralitetit.
Dhe çështjen e një “finlandizimi” të mundshëm të Ukrainës, ish-kryeministri Alexander Stubb është i kënaqur ta lërë mënjanë: “Termi është traumatik për ne”, do të ishte një rikthim në rregullat e Luftës së Ftohtë dhe jo një zgjidhje e mirë për Ukrainën. “Finlandizimi” përshkruan periudhën e viteve 1970, kur Finlanda bënte lëshime ndaj Bashkimit Sovjetik me bindje paraprirëse.
Gjermani: Ndërtesat e vjetra politike po shemben
“Gjermania merr rolin e saj si një fuqi globale,” shkroi të hënën agjencia e lajmeve Reuters, duke përmbledhur komentet nga e gjithë bota që shprehin entuziazmin dhe habinë e tyre për kthesën 180 gradë të bërë nga kancelari Olaf Scholz në Bundestag të dielën. Me një lëvizje të krahut, ai fshiu të gjitha doktrinat e vjetra prej dekadash të politikës federale gjermane: ai tha po për armët për Ukrainën, po për një ushtri të gatshme për misione, po për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe jo për varësinë energjetike nga Rusia, jo për ata që e kuptojnë Putinin dhe që janë avokatët e sundimit të tij autoritar.
Përkthimi në anglisht i fjalimit të Scholz-it u shpërnda si një mall i rrallë në Twitter midis vëzhguesve anglo-saksonë, kaq e madhe ishte habia për kthesën e Berlinit. Kancelari hodhi poshtë tridhjetë vjet politikë ruse të Gjermanisë Federale, veçanërisht atë të partisë së tij. Një ditë më vonë politikën e jashtme dhe të sigurisë t Republikës Federale e ke të vështirë ta njohësh.
Dhe disa gjëra të tjera:
Presidenti çek Milos Zeman, një mbështetës i zellshëm i Presidentit Putin për vite me radhë, e ka quajtur tani ish-mikun e tij një “të çmendur që duhet të izolohet” dhe që kërcënon paqen në Evropë.
Populisti italian i krahut të djathtë, Matteo Salvini është fotografuar i veshur me një bluzë të Putinit më shumë se një herë. Ai tani po përpiqet të fshijë lavdërimet e dikurshme të sundimtarit të Kremlinit në mediat sociale dhe ka vendosur lule në ambasadën e Ukrainës në Romë.
Pas aneksimit të Krimesë, ish-kryeministri skocez Alex Salmond e vlerësoi përsëri Putinin si patriot rus. Ai tani e pezulloi emisionin e tij të bisedave në kanalin propagandistik rus RT derisa të rivendoset paqja.
Ish-kandidati për president të Francës, Francois Fillon, ish-kancelari austriak Christian Kern dhe të tjerë dhanë dorëheqjen nga postet e tyre në kompanitë shtetërore ruse mes protestave. Kjo e lë vetëm ish-kancelarin gjerman Gerhard Schröder me punën e tij në Gazprom, i cili flet për “gabime nga të dyja palët”./DW