Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka themeluar një grup punues për të marrë masat e nevojshme për integrimin e fëmijëve që vijnë nga Ukraina së fundmi në shkollat shqipe.
Ky lajm u bë i ditur paraditen e së enjtes nga ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, e cila thekson se për këta fëmijë, krahas masave për edukimin e tyre të përkohshëm, do të ofrohet edhe mbështetje psiko-sociale.
“Sapo kemi ngritur në DKA një grup pune për marrjen e masave për edukimin e përkohshëm dhe mbështetjen psiko-sociale të fëmijëve të ardhur nga Ukraina për shkak të luftës. Ky grup do të koordinojë punën me strukturat arsimore në çdo bashki për të krijuar një klimë pozitive, mbështetëse dhe të sigurt, duke hartuar një program të veçantë për edukimin e tyre.
Së bashku me ambasadorin e Ukrainës, Volodymyr Shkurov, diskutuam detajet e organizimit të këtij procesi, për t’u siguruar këtyre fëmijëve gjithçka që u nevojitet për një mjedis mikpritës, të ngrohtë dhe miqësor”, tha ministrja Kushi.