Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA, Ned Price, ka njoftuar se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar të hënën një bisedë telefonike me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Në njoftim, të cilin e ka shpërndarë Ambasada e SHBA-së në Shqipëri, thuhet se sekretari Blinken e ka dënuar sulmin kibernetik nga Irani ndaj sistemit TIMS.
Sekretari Blinken ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale.
Njoftimi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së:
Sekretari i Shtetit Antony J. Blinken foli dje me kryeministrin shqiptar Edi Rama.
Sekretari Blinken dënoi sulmin e papërgjegjshëm kibernetik të 9 shtatorit kundër sistemeve të kontrollit kufitar të Shqipërisë, i cili pason sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë më 15 korrik.
Sekretari theksoi rëndësinë e bashkëpunimit SHBA-Shqipëri, si aleatë në NATO, për sigurinë rajonale.