Zyra e Departamentit amerikan të Thesarit për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) publikoi të hënën një listë të të sanksionuarve për vepra korrupsioni, në të cilën përfshihen shtatë persona nga Ballkani Perëndimor.
Nga Shqipëria, në listën e Departamentit të Thesarit janë: Aqif Rakipi dhe Ylli Ndroqi.
“Aqif Rakipi është një ish-deputet famëkeq nga Elbasani, i cili ka ndikim të dëmshëm dhe destabilizues në proceset politike në Shqipëri”, thuhet në vendimin e Departamentit të Thesarit.
Për Ylli Ndroqin thuhet se “është një pronar mediash, pasuritë e të cilit janë sekuestruar nga Qeveria e Shqipërisë në vitet 2020 dhe 2021, për veprimtari të mëparshme kriminale”.
Në Listën e Departamentit të Thesarit është edhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Gruevski, dhe ish-shefi i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit në këtë vend, Sasho Mijalkov.
Nga Bosnje e Hercegovina janë: ish-nënkryetari i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), Asim Sarajliq, dhe ish-kryeprokurorja Gordana Tadiq.
Svetozar Maroviq, ish-zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi, është po ashtu në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Thesarit.
Gruevski, Mijalkov dhe Tadiq janë edhe në listën e të sanksionuarve nga Departamenti amerikan i Shtetit.