Për herë të parë Kosovën e ka vizituar një presidenti nga shteti baltik i Letonisë. Eglis Levits u mirëprit nga presidentja Vjosa Osmani, e cila në konferencën e përbashkët për media i kërkoi mbështetje Letonisë për anëtarësim në NATO, si vend anëtar i Aleancës.
Levits tha se shteti i tij mbështet Kosovën jo vetëm në anëtarësim në NATO, por në të gjitha organizatat ndërkombëtare, duke thënë se Kosova, si një shtet demokratik, i takon Europës.
Presidenti letonez, ndryshe nga qëndrimi i BE-së që dialogun Kosovë-Serbi e prezanton si rrugën e vetme e Kosovës për integrimin e saj, tha se nëse ky proces ngec, s’duhet ngecur edhe procesi integrues.
“Kam parë disa probleme të ndryshme rreth dialogut, shpresoj që ende këto bisedime do të përparojnë, por nëse nuk kemi një progres të madh, s’duhet të jetë pengesë për Kosovën në drejtime dhe raporte të tjera. Dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm, por edhe nëse s’ka progres, ka mënyra të tjera se si Kosova mund të integrohet edhe më tutje në kornizat europiane”.