Search
Close this search box.

Përurohet abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri

Shpërndaje

Sot në Gjakovë është përuruar abetarja e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo u bë nga kryeministri Albin Kurti bashkë me ministret e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe Evis Kushi. Është thënë se Abetarja e përbashkët i fshin kufijtë mes dy shteteve.

Me një ceremoni solemne është bërë përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, me të cilën nga ky vit shkollor do të mësojnë të gjithë fëmijët shqiptarë kudo që jetojnë.

Abetarja unike do të përdoret nga të dyja vendet për të vegjlit në klasat e para si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se abetarja e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë është një vazhdim i punës së të parëve për gjuhën shqipe.

Ai, në ceremoninë e përurimit të abetares në Gjakovë, ka theksuar se fati i shkollës shqiptare ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e kombit, sipas tij, raporti në mes të gjuhës dhe kombit është historik.

“Nëpërmjet gjuhës është mësuar në mënyrë të drejt dashuria për kombin, sot në gjirin e barazisë dhe lirisë, kombin tonë e përbashkon edhe kjo abetare. Një brez i ri shqiptar po fillon rrugën e dijes me abetaren e përbashkët unike, kështu po materializohet frymëzimi i trashëguar ndër breza që na ka mbajtur të lidhur gjithmonë. Në ditë si këto duhet kujtuar puna dhe sakrifica e të gjithë atdhetarëve, intelektualëve, albanologëve, mësimdhënësve, studiuesve,kontribuuesve të parezervë, burrave dhe grave që e ruajtën gjuhën shqipe në kohët më të vështira e ruajtën pasurinë tonë të përbashkët. Jam i lumtur që andaj sot e kemi në duar këtë abetare për të cilën u zotuam me marrëveshjen e përbashkët nga mbledhja e dy qeverive tona”, ka thënë Kurti.

Ministrja shqiptare e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi me rastin e përurimit të abetares së përbashkët me Kosovën, tha se ajo do të fshijë kufijtë ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Sipas saj, ndonëse të gjithë ishin skeptikë që mund të realizohej për tetë muaj, arritën që ta jetësojnë abetaren.

“Unë besoj se një ndër punët më të bukura që kemi bërë, mes të gjithë punëve tjera, është kjo abetare. Fëmijët tanë do të mësojnë me tekstin e njëjtë të gjuhës së bukur shqipe. Shumë njerëz ishin skeptikë që brenda 8 muajsh do ta realizonim një abetare të re, por ja që kur ka vullnet dhe bashkëpunim të mirë, asgjë nuk është e pamundur. Një abetare jo vetëm e re, por edhe më cilësore. Kjo abetare nuk është vetëm libri i parë, por kjo abetare do të fshijë kufijtë midis Shqipërisë dhe Kosovës. Ky është libri që do të na bashkojë më shumë – sepse jemi një komb, kemi një gjuhë”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, është një ngjarje historike dhe e veçantë për kombin shqiptar.

“Është nder për mua sot në këtë ngjarje historike e të veçantë për kombin tonë. Nga normalja e Elbasanit, në normalen e Gjakovës, patriotë e intelektualë të shumtë i kushtuan jetën shtrirjes së aspiratave të rilindjes kombëtare dhe kësisoj edhe unifikimit të gjuhës shqipe. Sigurisht se pa themelet e rilindësve dhe atdhetarëve pasues, sot me siguri nuk do të kishim as gjuhën tonë të bukur shqipe, as abetaren e as nuk do të flisnim, sikurse po flasim sot”.

Ministrja tha se të gjithë vogëlushët shqiptarë, kudo që ata mësojnë, do të kenë të njëjtin tekst unik të Abetares.

“Kjo marrëveshje do të jetë historike, sepse edhe fëmijët e Republikës së Shqipërisë, ashtu si të Kosovës, dhe ashtu si të gjithë vogëlushët shqiptarë, kudo që ata mësojnë, do të kenë të njëjtin tekst unik të abetares, që uroj të ju sjell fat shëndet dhe mbarësi, e të jetë baza për sukseset e tyre në të ardhmen“.

Botues të Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri janë shtëpitë botuese, ‘Dukagjini‘ në Kosovë dhe ‘Pegi’ në Shqipëri.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme