Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq do të takohen javën e ardhshme në Bruksel.
Dy kryenegociatorët për dialogun pritet të diskutojnë për ujdinë e re për targa të automjeteve pak ditë para skadimit të marrëveshjes së tetorit. Nga opozita thonë se është humbur shumë kohë për një marrëveshjeje teknike e cila nuk është ndonjë e arritur, ndërkohë në shoqërinë civile thonë se është momentumi i duhur për arritjen e një marrëveshjeje të re.
Takimin e javës së ardhshme e konfirmoi për KosovaPress, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu. Ai ka thënë se pala kosovare ka gatishmëri edhe për takimet e nivelit të lartë politik, mirëpo të njëjtat duhet të jetë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore.
“Takimet thirren dhe organizohen nga ndërmjetësuesi i këtij procesi. Ato megjithatë duhet të jenë të dakorduara paraprakisht, me agjendë të qartë dhe tema përmbajtjesore. Ne në vazhdimësi kemi treguar gatishmëri për takime të tilla. Kurse sa i përket takimit në nivel të kryenegociatorëve, zëvendëskryeministri Bislimi dhe Petkoviq pritet të takohen gjatë javës tjetër”, ka thënë Kryeziu.
Deri tani janë mbajtur disa runde të negociatave mes grupeve të ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë për targat, mirëpo ende nuk është gjetur zgjidhja finale. Në tetor të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje të përkohshme gjashtëmujore për vendosjen e afisheve në targat e veturave.