Deuptetët e Parlamentit Evropian kanë miratuar sot rezolutën ku për herë të parë i bëhet thirrje Kosovës dhe Serbisë që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të njohjes reciproke.
Përafrimi i Serbisë me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian (BE) në rezolutën që u miratua sot është vendosur si një nga kushtet për përparimin e mëtejshëm të Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane.
Raporti i raportuesit për Serbinë Vladimir Bilçik për Serbinë u mbështet nga 523 deputetë të Parlamentit Evropian, 78 ishin kundër dhe 34 abstenuan.
Rezoluta për Serbinë shpreh përkrahjen e Parlamentit Evropian për “anëtarësimin e ardhshëm të Serbisë në BE”, por gjithashtu kujton se një perspektivë e besueshme e zgjerimit kërkon angazhim në reformat e nevojshme dhe respektimin e standardeve dhe vlerave evropiane, transmeton Klankosova.tv.
Në raportin e këtij viti për Serbinë, PE ka përfshirë edhe harmonizimin me sanksionet kundër Rusisë si një element kyç që duhet të përcaktojë përparimin e përgjithshëm të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE.