Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në takimin e liderëve të Konferencës së Munihut.
Osmani do të flasë në panelin për sigurinë energjetike si dhe në disa evente të tjera.
“Kjo konferencë do t’i bashkojë dhjetëra vendimmarrës dhe ekspertë të lartë nga të dy anët e Atlantikut për të diskutuar se si partnerët transatlantikë mund të ndërtojnë një aleancë më të qëndrueshme dhe ta avancojnë bashkëveprimin dhe udhëheqjen e përbashkët në sfidat e sigurisë, duke përfshirë luftën aktuale në Ukrainë”, njofton Zyra e Presidentit.
Njoftimi i plotë:
Presidentja Osmani ka udhëtuar për në Washington DC për të marrë pjesë në Takimin e Liderëve të konferencës së Munihut.
Në Shtetet e Bashkuara, Presidentja Osmani dhe përfaqësues të shteteve të tjera pjesëmarrës të Konferencës do të mblidhen për të diskutuar rreth situatës së sigurisë në Evropë pas agresionit rus në Ukrainë dhe forcimin e partneritetit transatlantik.
Përgjatë konferencës, Presidentja do të flasë në panelin për sigurinë energjetike si dhe në disa evente të tjera. Kjo konferencë do t’i bashkojë dhjetëra vendimmarrës dhe ekspertë të lartë nga të dy anët e Atlantikut për diskutuar se si partnerët transatlantikë mund të ndërtojnë një aleancë më të qëndrueshme dhe ta avancojnë bashkëveprimin dhe udhëheqjen e përbashkët në sfidat e sigurisë, duke përfshirë luftën aktuale në Ukrainë.