Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të udhëtojë për në Greqi për të marrë pjesë në Samitin e krerëve të shteteve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ka bërë të ditur të enjten zyra e presidentes.
Sipas njoftimit, Osmani në këtë samit do t’i bashkohet krerëve të 13 shteteve për të biseduar rreth thellimit të bashkëpunimit me vendet e rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë për të garantuar paqe, siguri, stabilitet, zhvillim ekonomik, politik e shoqëror në rajon.
Gjithashtu, Samiti i SEECP-së do të përqendrohet edhe në zhvillimeve e fundit në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë, si dhe ndikimin e tyre në vendet e rajonit.
“Gjatë Samitit të SEECP-së, presidentja Osmani do të ketë takim bilateral me nikoqirin e Samitit, kryeministrin e Greqisë Kyriakos Mitsotakis, si dhe me pjesëmarrës tjerë. Presidentja Osmani do të marrë pjesë në darkën zyrtare të Samitit me Kancelarin e Gjermanisë Olaf Scholz dhe me Presidentin e Këshillit të BE-së Charles Michel. Në këtë Samit të SEECP-së, Presidentja Osmani do të flasë edhe për rolin që Republika e Kosovës po luan në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon; rëndësinë e bashkëpunimit rajonal duke u bazuar në parimet e barabarësisë dhe gjithëpërfshirjes, si dhe për nevojën për ta përshpejtuar perspektivën euro-atlantike për Kosovën dhe vendet e tjera demokratike në rajon”, thuhet në njoftim.