Search
Close this search box.

Osmani: Putin po tenton të kryejë gjenocid, Zelensky shembull për gjithë botën

Shpërndaje

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për mediumin amerikan “HuffPost”, ka thënë se presidenti ukrasinas, Volodymyr Zelensky, është një shembull për gjithë botën derisa për fqinjin e tij rus, presidentin Vladimir Putin, ka thënë se është duke tentuar të kryejë gjenocid në Ukrianë.

Osmani tha se deklaratat e presidentit rus për “denazizmin” e fqinjit të tij tregonin për një synim “për të shkatërruar tërësisht ose pjesërisht popullin e Ukrainës”.

Osmani për mediumin amerikan tha se konflikti në Ukrainë i ka sjellë edhe “kujtime personale” të luftës së Kosovës.

“Është absolutisht shkatërruese për të gjithë njerëzit e Kosovës të shohin këto imazhe të cilat për ne sjellin shumë kujtime personale”, tha ajo.

“Ajo që ne shohim në Ukrainë është shumë e ngjashme – gra që përdhunohen, civilë po vriten, fëmijë të vegjël po ashtu vriten, njerëz që po detyrohen të lënë shtëpitë e tyre – është absolutisht e dhimbshme. Kanë kaluar 20 vjet, kështu që kujtimet për ne janë shumë, shumë të freskëta”.

Presidentja tha se ajo besonte se Ukraina tani ishte gjithashtu viktimë e një “regjimi gjenocidal brutal” të ngjashëm me atë që kishte në shënjestër Kosovën në fund të viteve 1990 dhe që e detyroi NATO-n të niste një fushatë bombardimesh pasi përpjekjet diplomatike për të rivendosur paqen dështuan.

“Si një ish-profesoreshë e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne i njohim ato kur i shohim”, tha Osmani.

“Qëllimi këtu është i qartë dhe qëllimi është elementi kryesor i gjenocidit. Unë besoj se tashmë ka shumë prova që gjykatat ndërkombëtare do të përdornin kundër Putinit dhe kundër qeverisë ruse për krimet që po kryejnë kundër Ukrainës. Kam besim që këto krime nuk do të mbesin të pandëshkuara. Fatkeqësisht, në rastin e ish-Jugosllavisë, ato mbesin të pandëshkuara. Plagët janë të hapura”.

Presidentja kosovare ka thënë se është inkurajuese përgjigjja e unifikuar e Perëndimit në dënimin e pushtimit të Ukrainës nga Putini, por ka shtuar se “duhet të bëhet më shumë, si në aspektin e sanksionimit ekonomik dhe sidomos kur vjen  puna te politika për të hapur dyert për refugjatët ukrainas.

Osmani ka folur edhe për periudhën e errët të Kosovës gjatë luftës, duke thënë se kosovarët e dinë mirë çfarë po përjetojnë ukrainasit tani.

Ajo gjithashtu përmendi Serbinë si “i vetmi vend në Europë ku ka protesta pro Putinit”.

“I vetmi vend në këtë pjesë të botës dhe Europës, përveç regjimit të Lukashenkos [në Bjellorusi] që nuk ka vendosur sanksione kundër Rusisë, është Serbia.Fakti që ai [presidenti serb Aleksandar Vuçiç] nuk u pajtua për të vendosur sanksione kundër Rusisë tregon se ai qëndron qartë me Rusinë në këtë çështje”.

“Dhe derisa në vitet 1990 Sllobodan Millosheviqi me të vërtetë kreu krime në atë masë sa u quajt me të drejtë kasapi i Ballkanit, Putin tani është kasapi i demokracisë”.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme