Në oborrin e Kuvendit është hapur ekspozita me rastin e 14 prillit – Ditës së të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në këtë ngjarje ku janë të ekspozuara punime të ndryshme të pikturuara nga të mbijetuarat e dhunës, po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
“Shënimi i 14 prillit, muajit kur ka pasur më së shumti dhunime gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të ishte vulosje e përhershme e një kapitulli tragjik të historisë sonë, dhe do të ishte bashkim i zërave tonë për të treguar se si gra e burra të Kosovës, përkundër vuajtjeve të mëdha, e shndërruan vuajtjen e tyre në forcë, për të ngritur zërin për drejtësi”, tha Osmani.
Tutje presidentja foli edhe për situatën në Ukrainë, ku po raportohen përdhunime të grave nga ushtarët rusë.
“23 vite pas luftës në Kosovë, kur ne shpresonim se Evropa e bota nuk do zgjohej më me imazhe e me dhimbje në sy të vajzave dhe grave, por jo vetëm, dhimbja dhe trishtimi zuri vend sërish në kontinentin tonë. Sot disa prej jush, por edhe shumë gra të tjera në Kosovë, bashkëndjejnë e kuptojnë më së miri dhimbjen, trishtimin e zhgënjimin që janë duke përjetuar vajzat dhe gratë në Ukrainë, por edhe në vende të tjera të botës”, u shpreh e para e shtetit.
“Ju vajza e gra, burra e gra, jeni shndërruar në rrëfyesin më të vërtetë e më të sinqertë, të vuajtjeve dhe përjetimeve të popullit tonë, e njëkohësisht jeni shndërruar në motivin tonë të përditshëm, në rrugëtimin tonë të përbashkët drejt drejtësisë”.
“Drejtësia do të jetë e qëndrueshme vetëm atëherë kur kriminelët që kryen këto krime dalin para drejtësisë. Lirinë e kemi fituar, por paqja për shumë qytetarë e qytetare tona nuk do të jetë e plotë përderisa drejtësia dhe ndëshkimi për krimet e bëra të jetë përfundimtare”.