Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është adresuar për 23 vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, shkruan Gazeta Express.
Osmani ka thënë se me 24 mars të 1999, fati dhe jeta e gjithsecilit në Kosovë e mori kthesën e shpresës.
Presidentja deklaroi se ndërhyrja e NATO-s i ka hapur rrugë rilindjes së lirisë dhe demokracisë në Kosovë.
“Prandaj sot e përjetësisht i jemi mirënjohës NATO-s, ashtu siç i jemi mirënjohës trupave paqeruajtëse, grave e burrave të cilët i dolën në krahë te drejtës dhe paqes, duke vulosur mbrojtjen dhe lirinë e sigurinë e çdo qytetari të Kosovës. Ndërhyrja e NATO-s i hapi rrugë rilindjes së lirisë dhe demokracisë në Kosovë. Kjo, pas dekadash dhune, aparteidi e diskriminimi sistematik që rezultoi në një luftë të përgjakshme e udhëhequr nga synimet fashiste për të vrarë, përdhunuar e shpërngulur më dhunë popullin e Kosovës nga toka e tyre”, thuhet në adresimin e Osmanit.
Më tutje, Osmani tha se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë para 23 vitesh ishte e nevojshme dhe e mirëpritur nga populli i Kosovës.
“E vërteta është kjo: ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm e nevojshme, por ishte mëse e mirëpritur nga populli i Kosovës. Vetë ekzistenca jonë si popull i lirë dhe i pavarur është suksesi i përbashkët i rezistencës sonë çlirimitare dhe vendimit të NATO-s për të ndërhyrë. Në këto 23 vite, ne ua kemi dëshmuar aleatëve tanë se ndërhyrja nuk ishte thjesht një gjest njerëzor e fisnik, por ishte veprimi i vetëm i mundshëm. Ndërhyrja shpëtoi jetë, krijoi shpresë, na dha krahë për të ndërtuar vendin që e duam sot dhe na mundësoi t’i japim zë sukseseve të Kosovës si shtet i pavarur e sovran. Për forcat destruktive që sot i vënë në pikëpyetje qëllimet e NATO-s, ajo që është më me rëndësi është se populli i Kosovës – populli më pro NATO në botë – e di të vërtetën. Bota demokratike, po ashtu, e di të vërtetën”, ka thënë më tutje ajo.