Search
Close this search box.

Osmani kërkon të shikohet nëse Specialja po respekton të drejtat e të akuzuarve

Shpërndaje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha më 22 korrik se institucionet e Kosovës duhet të punojnë për të parë nëse po respektohen të drejtat e njeriut në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët gjenden në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë një konference të përbashkët për media në Prishtinë me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, Osmani u pyet nëse do t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së që gjenden në Hagë, por ajo tha se më të rëndësishme janë veprimet sesa vizitat.

“Unë besoj që do të ulemi dhe do të diskutojmë me institucionet, në radhë të parë se si mund të bëjmë çmos që ligjet që i ka miratuar vetë Kuvendi i Kosovës, amendamentet kushtetuese që i ka miratuar Kuvendi i Kosovës, të zbatohen, por edhe sa i përket mbrojtjes së të drejtave të të akuzuarve në këtë rast”, tha Osmani.

Në Kosovë ka kritika të shumta ndaj Dhomave të Specializuara për zvarritjen e procesit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët për pothuajse dy vjet gjenden në paraburgim në Hagë, dhe ende nuk ka një datë për nisjen e gjyqit ndaj tyre.

Në paraburgim në Hagë qysh nga nëntori i vitit 2020 gjenden ish-krerët e UÇK-së, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi.

Ata akuzohen si të dyshuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Osmani foli edhe për rezolutën e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 21 korrik, që kërkon që Këshilli i Evropës të bëjë përditësime sa i përket raportit të senatorit Dick Marty, të vitit 2011, ku pretendohej se në Kosovë dhe Shqipëri ka pasur trafikim organesh gjatë luftës në Kosovë. Ky raport ishte bërë shkas për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte në Kosovë.

“Dick Marty ka tentuar ta shtrembërojë të vërtetën që ka ndodhur në Kosovë, një luftë gjenocidale e Serbisë kundër popullit të Kosovës, por përgjigjen e ka marrë nga vetë prokurorët e Speciales”, tha Osmani, duke iu referuar një raporti nga prokurori amerikan, Clint Williamson, që më 2014 tha se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme