Duke adresuar krizën globale të ushqimit që rrjedh nga pandemia dhe lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, ndihmësdrejtori i përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO), Abdul Hakim Elwaer tha se nuk do të ketë uri, por se me siguri do të ketë mungesë ushqimi për një kohë të gjatë, veçanërisht për vendet me kapacitet të ulët prodhues.
“Më shumë se 800 milionë njerëz në botë tashmë po përballen me pasiguri ushqimore”, tha Elwaer për Anadolu Agency (AA), duke shtuar se çështja nuk mund të përgjithësohet pasi varet nga vendet.
Duke folur gjatë takimit vjetor të Grupit të Bankës Islame për Zhvillim në Egjipt, ai tha se kriza e ushqimit nuk filloi sot pasi rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore (MENA) është përballur me krizën për një kohë të gjatë.
Ai potencoi problemet globale të vazhdueshme si mungesa e ujit dhe ndryshimet klimatike dhe shtoi se tashmë ekziston një mungesë e aftësisë për të prodhuar ushqim.
Elwaer vuri në dukje se burimet e ujit nuk janë më të qëndrueshme, “kështu që nuk mund të varemi nga i njëjti prodhim kulture dhe sezone korrjeje në të njëjtën kohë si gjithmonë”.
Rusia, Ukraina dhe rajoni i Detit të Zi ofrojnë alternativë të mirë për furnizimin me ushqim të lirë për rajonin më të afërt të Afrikës së Veriut, i cili është importues neto i grurit dhe vajit ushqimor me 80-90 për qind.
Pas fillimit të luftës, produktet bazë ushqimore si gruri, vaji dhe sheqeri shënuan rritje të konsiderueshme të çmimeve.
Çmimi i një ton grurit u rrit nga niveli 300 dollarë në nivelin 500 dollarë ndërkohë që disa vende, përfshirë Rusinë, Ukrainën, Indinë dhe Kazakistanin, pezulluan ose kufizuan eksportet e këtyre nevojave bazë.