Në kryeqytetet e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Tiranë e Shkup, të mërkurën është kërkuar drejtësi për vajzën 11-vjeçare, e cila dyshohet se është dhunuar nga pesë persona më 27 gusht në Prishtinë.
Në këto dy qytete është protestuar edhe kundër rasteve tjera të dhunës ndaj vajzave dhe grave.
Nëpër protesta janë dëgjuar thirrjet “Mos më prek”, Vajzat janë krenaria e një kombi”, Ndëshko përdhunuesit”, Jo do të thotë Jo”, “Zero tolerancë ndaj dhunës”, “Pedofilët në burg të përjetshëm”, “Vajza nuk është pronë e askujt”, “Unë bërtitja jo”.
Në Tiranë disa janë dëgjuar duke bërtitur “pesë burra, shtatë orë, 11 vjeç”.
Protestuesit kanë kërkuar ndryshime ligjore për të ndërmarrë masa të rrepta kundër dhunuesve, por edhe publikimin e emrave të tyre në opinion.
“Ne kërkojmë që shtetet të rrisin masat e mbrojtjes dhe sigurisë për vajzat dhe gratë dhe dënime më të ashpra kundër atyre që ushtrojnë forma të ndryshme të dhunës, legalizimin dhe shpërndarjen e gazit lotsjellës për vetëmbrojtje, regjistër të pedofilëve, të respektohen konventat ndërkombëtare, me theks të veçantë ajo e Stambollit, trajnim të profesionistëve që punojnë me viktimat, rritje të ndërgjegjësimit për format e dhunës”, ka thënë aktivistja, Njomza Shaqiri në Shkup.
Protestuesit gjithashtu kërkuan shërbime të specializuara për gjitha vajzat dhe gratë viktima të dhunës.
“Dhuna kundër një vajze, dhuna kundër një gruaje, është dhunë kundër të gjitha vajzave dhe grave”, thonë protestuesit. Apelojmë parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen, duke vetëdijesuar popullatën me reagime të formave zyrtare dhe jozyrtare”, ka thënë aktivistja Agnesa Çavolli në Shkup.