Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky, ka thënë të enjten se ka pritje të larta që brenda mandatit gjashtëmujor të Presidencës çeke, do të finalizohet procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Presidenca çeke e përfundon mandatin në krye të Bashkimit Evropian më 31 dhjetor të këtij viti.
“Është një proces që përbëhet nga çështjet teknike. Bashkimi Evropian do të rishikojë shumë shpejt aspektet teknike dhe unë shpresoj shumë që Presidenca çeke do të arrijë deri te një marrëveshje, dhe Kosova do të ketë liberalizim të vizave. Është shumë e vështirë të parashikojmë datën. Pritjet e mia për vendimin janë shumë të larta, dhe kjo është pjesë e agjendës sime politike”, ka thënë Lipavsky në një konferencë për media në Prishtinë.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka pasur me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.
Lipavsky ka thënë se i ka kontaktuar edhe disa zyrtarë nga Holanda për këtë çështje dhe se ata janë pajtuar që të analizohen çështjet teknike dhe më pas ato politike.
Holanda dhe Franca janë dy prej vendeve anëtare të BE-së që kanë qenë skeptike për këtë proces.