Search
Close this search box.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria hapin zyrtarisht negociatat për anëtarësim në BE

Shpërndaje

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të martën hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në selinë e BE-së në Bruksel, më 19 korrik u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare, në të cilën Maqedonia e Veriut zyrtarisht i hapi negociatat.

Pas kësaj, u mbajt edhe konferenca me Shqipërinë, e cila ka qenë në bllokun e njëjtë me Shkupin, sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.

Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vitet e fundit kanë qenë një sagë e vërtetë, me punë, vlerësime, pritje, premtime të pambajtura dhe rinisje të mundimshme.

Por, ai tha se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.

“Evropa me vlerat, parimet dhe standardet e saj, është ajo që e bën të mundur një Ballkan tjetër, një Ballkan paqeje, prosperiteti dhe sigurie. Një Ballkan i hapur i katër lirive të BE-së po ashtu. Duke filluar nga sot, bisedimet e anëtarësimit nuk e bëjnë ëndrrën tonë realitet, por e bëjnë realitetin një vend më të mirë për të ndjekur ëndrrën. Ne e dimë se ajo që kemi arritur deri tani është vetëm fundi i fillimit”, tha Rama.

Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, tha se hapja e bisedimeve me Shqipërinë, është një arritje e madhe si për Tiranën, ashtu edhe Brukselin.

“Ballkani Perëndimor është tej mase i rëndësishëm për BE-në dhe ky është një moment në të cilin kjo rëndësi po tregohet”, tha ai.

Ndërkaq, në fund të konferencës së parë midis BE-së dhe Maqedonisë së Veriut, kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se po hapet kapitulli i ri në historinë maqedonase.

“Kjo është ditë historike, e shumëpritur dhe sigurisht e merituar. Për këtë ditë kemi marrë vendime të vështira, që kërkonin guxim dhe mençuri. Kemi marrë vendimin përfundimtar dhe kemi ruajtur identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase. Ne kemi vendosur të jemi të vendosur, të guximshëm, të mençur dhe të vendosur që të mos mendojmë për veten, por për gjeneratat e ardhshme”, tha Kovaçevski.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme