Kuvendi i Maqedonisë së Veriut të shtunën ka miratuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, që do t’i hapë rrugën procesit të integrimit evropian. Ndërkaq, nga Bashkimi Evropian thanë se negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut do të nisin javën e ardhshme.
Propozimi u miratua me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë të përmbajtur. Deputetët e opozitë nuk morën pjesë në procesin e votimit.
Deputetët votuan për shtatë konkluzione të hartuara nga grupi parlamentar i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), e që kanë të bëjnë me garancitë për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Kuvendi obligon Qeverinë që përmes delegacioneve në bisedime, t’i përmbahet përcaktimit për respektimin pa kushte të gjuhës, identitetit dhe kulturës së popullit maqedonas, si elemente për të cilat nuk negociohet me BE-në. Në kornizën e bisedimeve gjuha maqedonase të jetë pa sqarime, pa shtesa dhe pa fusnotë”, thuhet mes tjerash në propozim-konkluzionet që u prezantuan nga Grupi Parlamentar i LSDM-së.
Liderët e Bashkimit Evropian kanë përshëndetur votimin e Kuvendit maqedonas në favor të propozimit francez, duke paralajmëruar se në javën e ardhshme do të zhvillohen konferencat e para ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke hapur formalisht negociatat e anëtarësimit.
“Urime Maqedonisë së Veriut për votimin i cili tash shtron rrugën për hapjen e shpejtë të negociatave të anëtarësimit. Ishte një rast historik dhe ju e shfrytëzuat atë. Një hap i madh drejt të ardhmes suaj, të ardhmes evropiane”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Ngjashëm ka reaguar edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
“E ardhmja jonë është e përbashkët dhe ne ju mirëpresim me duar të hapura”, shkroi ai në rrjetet sociale, duke shtuar se votimi i 16 korrikut ishte një hap i madh i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.
Pritet që në të njëjtën kohë negociatat e anëtarësimit të nisin edhe për Maqedoninë e Veriut dhe për Shqipërinë.
Nga Shqipëria po ashtu kanë mirëpritur vendimin e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në BE nuk kanë më asnjë pengesë.
“Pengmarrja absurde e Shqipërisë ka marrë fund”, tha Rama.