Kryeministri Albin Kurti ka vazhduar vizitat në kompanitë e njohura amerikane. Në ditën e parë të qëndrimit në shtetin e Illinois, Kurti zhvilloi takim me themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv, Adam Zeck, dhe drejtoren e Shitjeve, Marketingut dhe Operacioneve, Jeta Zagragja, e kompanisë UCX.
Pas vizitës në kompaninë UCX, Kurti u takua me Steven Collens, drejtorin ekzekutiv të MATTER, dhe Katie Kosko, menaxheren e partneritetit.
“Kjo kompani, që nga maji i vitit të kaluar, ka filialin e saj edhe në Kosovë. UCX është kompani lidere në SaaS (Software as a service) që u ofron shërbime mbi 2500 bizneseve të ndryshme që të zgjerojnë kapacitetet e tyre të shitblerjes online (E-Commerce)”, tha ZKM në një njoftim për media.
“Kryeministri Kurti, gjatë bisedës tha se qeveria e tij e mbështet zhvillimin dhe rritjen e potencialit dhe kapaciteteve të TI. Ai i falënderoi drejtuesit e saj për mikpritjen dhe investimet e tyre në Kosovë, si dhe i ftoi ata që gjithmonë ta kenë në konsideratë Kosovën në planet e tyre të zgjerimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në këtë takim, kryeministri Kurti foli për përmirësimet në indikatorët ekonomikë dhe të demokracisë, prioritetet e mandatit të tij dhe potencialin e vendit për investime, sidomos në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Duke folur për agjendën e digjitalizimit, ai tha se digjitalizimi i shërbimeve shëndetësore dhe themelimi i Sistemit Informativ Shëndetësor janë dy prej objektivave kryesore nëpërmjet të cilave synojmë që të transformojmë sektorin e shëndetësisë në vend. Me z. Collens dhe znj. Kosko u diskutuan mundësitë premtuese të bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.