Kryeministri Albin Kurti deklaroi sot se për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje ndërmjet dy shteteve.
Ai gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës, tha se “nuk dëshirojmë t’ia pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”.
“Ndaj të dyjave do të sillemi me përgjegjësi”, u shpreh kryeministri Kurti duke shtuar se është në komunikim të vazhdueshëm me shtetet e QUINT-it.
Në takim u diskutua mbi gjendjen e sigurisë në rajon pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Me këtë rast u tha se Republika e Kosovës që nga fillimi ka shprehur solidarizimin me Ukrainën dhe popullin ukrainas gjersa pa hezitim ka dënuar ashpër agresionin e Federatës Ruse, duke iu bashkuar BE-së, SHBA-së dhe botës demokratike në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Gjithashtu, u diskutua edhe për një angazhim më të madh në fushën e diplomacisë ekonomike, duke filluar nga krijimi i kontakteve dhe urave lidhëse për të promovuar potencialin e Kosovës nëpër botë.