“Nëse dëshirojmë të mirëmbajmë paqen, mund ta bëjmë vetëm nëse gratë janë në tavolinat vendimmarrëse”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani hapi punimet e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Në kuadër të këtij Forumi, gratë ukrainase u nderuan me Medalje Presidenciale.
Forumi, i njohur si WPS, po mbahet për herë të parë në Kosovë dhe organizimi i tij kishte qenë zotim i Kosovës në kuadër të Samitit për Demokraci që u mbajt në Shtetet e Bashkuara të Amerikës më 2021.
Në fjalimin hapës, Osmani u shpreh e pikëlluar për faktin se ish-sekretarja Amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq në mars të këtij viti, nuk mund të shohë organizimin e këtij forumi.
“Znj. Albright ishte planifikuar të jetë folësja kryesore. Albright do të mbetet një figurë historike për këtë vend për kontributin që ka dhënë për sigurinë e paqen”, tha ajo
Osmani tha se folësit e panelet e këtij forumi kanë për qëllim diskutimin mbi gratë dhe rolin e tyre në zona të konfliktit.
“Kemi këtu përfaqësues të Ukrainës dhe gazetare nga Ukraina. Ajo që po e dëshmon vendi juaj na e kthen kujtesën tonë të luftës”, tha Osmani duke përmendur pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës që nisi më 24 shkurt të këtij viti.
Ajo përmendi edhe kontributin e grave kosovare para, gjatë dhe pasluftës në Kosovë që u zhvillua në fund të viteve 90’ si dhe rëndësinë e barazisë së grave në përparimin e shteteve.
“Historia e Kosovës është historia e secilës grua që e ka hequr një gur nga rruga drejt barazisë”, tha Osmani.
Në kuadër të Forumit, Osmani ndau Medalje Presidenciale për gratë në Ukrainë.
“Kjo shkon për nënat, motrat, vajzat, luftëtaret, gazetaret, aktivistet. Ky çmim është simbol i përkrahjes së Kosovës pasi qëndrojmë së bashku që në të ardhmen të gëzojmë së bashku paqen”, tha Osmani.
Këtë çmim e pranoi deputetja ukrainase, Yevheniya Kravchuk, së bashku me disa gazetare ukrainase që po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të një projekti të Qeverisë së Kosovës për strehimin e gazetareve ukrainase.
“Shumë gra të Ukrainës janë viktima të kësaj lufte por jane gjithashtu edhe luftëtare, gazetare dhe do të ngadhnjejmë”, tha Kravchuk.