Republika e Kosovës ka nënshkruar sot një marrëveshje bilaterale me Mbretërinë e Belgjikës, që mundëson ushtrimin e profesionit fitimprurës të familjarëve të diplomatëve të Kosovës me shërbim në Belgjikë.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Jashtme, kjo marrëveshje u nënshkrua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Belgjikës, Agron Bajrami, dhe në emër të Mbretërisë së Belgjikës, sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Belgjikës, Theodora Gentzis, si dhe udhëheqësja e divizionit juridik në Qeverinë e Rajonit Flaman, Delphine Delouvroy.
Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Belgjikës, ndërsa pas ceremonisë së nënshkrimit të saj, ambasadori Bajrami në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, u zotua për thellim të mëtutjeshëm të raporteve bilaterale mes Kosovës dhe Belgjikës, si dhe falënderoi Sekretaren Gentzis për mbështetjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës.
“Në fund, sekretarja Gentzis ka shprehur kënaqësinë dhe vullnetin që të thellojnë marrëdhëniet bilaterale dhe ka thënë se shpreson që marrëdhëniet mes dy shteteve do të avancojnë edhe më shumë në të ardhmen”, thuhet në komunikatë.