Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ofrojnë ndihmë më të avancuar ushtarake për Ukrainën, që kjo e fundit ta përballojë agresionin rus.
Kështu ka njoftuar të mërkurën presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë një bisede me “New York Times”.
I pari i SHBA-ve, ka thënë se furnizimet e avancuara për Ukrainën si raketat, do ta ndihmojnë pozicionimin e Kievit në tavolinën e dialogut me Kremlinin.
E Kremlini zyrtar veprimin e fundit amerikan e ka cilësuar si “negativ”, duke pretenduar që e vështirëson situatën në teren.
Armët e reja do të përfshijnë sistemin e raketave të artilerisë me lëvizshmëri të lartë M142 (HIMARS), ka thënë një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, raporton BBC.
Që nga 24 shkurti, Rusia po synon pushtimin e Ukrainës. Por, perëndimi i ka vendosur sanksione ekonomike Moskës si kundërpërgjigje ndaj agresionit ushtarak.
Në mes përfaqësuesve të dy shteteve ka pasur takime në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje, deri më tash pa rezultate.