Search
Close this search box.

Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm për akuzat e reja

Shpërndaje

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Në seanca të ndara pranë Dhomave të Specializuara, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarët e Kuvendit, Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, por edhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për akuzat e reja, që i janë shtuar më 29 prill aktakuzës fillestare për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë seancës për paraqitje të mëtejme më 10 maj, Thaçi tha se nuk i ka kuptuar akuzat sepse kanë qenë shumë të redaktuara, por tha se deklarohet i pafajshëm.

“Deklarohem i pafajshëm, megjithëse lëndën nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm”, tha ai, teksa mori pjesë në seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit në Hagë.

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, tha se Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tri kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit dhe ish-udhëheqësve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Por, vetëm dy kategoritë e para përmbajnë akuza të reja.

Akuzat e reja kanë të bëjnë për krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një qendër ndalimi në Gjilan.

“Kategoria e parë përbëhej nga dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer krime të përndjekjes, të burgosjes apo të ndalimit arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim çnjerëzor, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë”, tha ai.

“Kategoria e dytë kishte të bënte me dy incidente të përndjekjes dhe vrasjes së paligjshme të kryera në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit dhe modifikimin e kohës kur ka ndodhur kjo”.

Po ashtu, Prokuroria e Specializuar ka përfshirë në akuzën e re, dyshimin për përfshirje të drejtpërdrejt në krime të Thaçit.

“Dhe kategoria e tretë përbëhej nga dy incidente për pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera”, tha Guillou.

Ndërkaq, në një seancë të ndarë, Veseli po ashtu u deklarua i pafajshëm, duke kërkuar që të nisë sa më shpejt gjykimi.

“I kam lexuar [akuzat e reja], vetëm kam dëshirë që procesi gjyqësor të filloj sa më shpejt dhe të kem të drejtën time të shpreh pafajësinë time” para qytetarëve dhe gjykatës, tha Veseli.

Po ashtu, Jakup Krasniqi, i cili ishte fizikisht i pranishëm në sallën e gjykatës, tha se deklarohet i pafajshëm dhe tha se nuk ka asnjë lloj përgjegjësie për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“Zoti gjykatës, e kam lexuar aktakuzën dhe shtesën e fundit dhe mund të them me bindje të plotë se e kam vështirë ta kuptoj edhe akuzën e parë edhe vazhdimin, pasi jam i bindur se vepra të tilla kurrë nuk kam kryer në jetën time. Prandaj, deklarohem krejtësisht i pafajshëm dhe kërkojmë që gjyqi të përshpejtohet dhe të mos na mbani kaq gjatë në paraburgim në Hagë”, tha Krasniqi.

Ai po ashtu tha se nuk do ta kishte besuar, po të mos ishte ky rast në gjykatë, që gjykatës, siç tha ai, të shkolluar në shtete liberale e me traditë në drejtësi të “guxojnë të ngrenë një akuzë që mbështeten vetëm e vetëm mbi bazën e gënjeshtrave të Serbisë”.

Gjatë 10 majit, para Dhomave të Specializuara, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, i pyetur për akuzat e ngritura tha se: “Unë jam i bindur se asnjë lloj përgjegjësie nuk e kam për këtë që dëgjuam”.

Thaçi, Krasniqi, Veseli dhe Selimi kanë një aktakuzë të përbashkët për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Gjykimi ndaj tyre ende nuk ka filluar.

Aktakuza ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit u ngrit më 26 tetor të vitit 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020.

Subscribe
Notify of
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments

Shpërndaje

Numri i lexuesve

Shpërndaje

Support this article

Read article in English
Related News

Lorem ipsum dolor sit amet, consectetur adipiscing elit. In dapibus mi in augue auctor venenatis.

Të ngjashme