Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), të premten, më 24 qershor, shpalli vendimin, i cili i dha fund të drejtës gjysmëshekullore të abortit, raportoi AP.
Një gjykatë e dominuar nga konservatorët rrëzoi vendimin “Roe kundër Wade” të vitit 1973, që garantonte këtë të drejtë.
Gjashtë gjyqtarë votuan “për” dhe tre “kundër”.
Gjykata tha se aborti nuk është i ndaluar, por tani disa shtete, vetë mund të lejojnë ose kufizojnë abortin.
“Kushtetuta nuk e jep të drejtën e abortit. Roe dhe Casey u anuluan, ndërkaq pushteti për të rregulluar abortin iu kthye popullit dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur”, thuhet në një pjesë të vendimit të shpallur nga gjykata.
Gjykatësi Clarence Thomas – i cili konsiderohet anëtari më konservator i Gjykatës Supreme – shkroi një opinion shtesë duke votuar në favor të revokimit të së drejtës për abort.
Thomas shkon më tej dhe i kërkon gjykatës të “rishqyrtojë” tri vendime të mëparshme të Gjykatës Supreme.
Ai po kërkon një rishikim të çështjes “Griswold”, e cila mbron të drejtën për kontracepsion, ligjit “Lawrence”, i cili shfuqizoi ligjet kundër sodomisë dhe ligjit “Obergefell”, i cili legalizoi martesat e të njëjtit seks në të gjithë vendin.