Diplomatët iranianë të enjten kanë braktisur ndërtesën e Ambasadës së Republikës Islamike të Iranit dhe janë nisur për në aeroportin kryesor shqiptar të Rinasit, pas urdhrit të Qeverisë shqiptare që ta lëshojnë Shqipërinë për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Vendimi për dëbimin e diplomatëve iranianë u shpall nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasi akuzoi Iranin për “agresion shtetëror” ndaj Shqipërisë për sulmin kibernetik ndaj infrastrukturës qeveritare dhe shërbimeve digjitale gjatë muajit korrik.
Ky është rasti i parë që një shtet ka ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me një shtet për shkak të sulmeve kibernetike dhe hera e parë që një shtet anëtar i NATO-s zyrtarisht fajëson Iranin për organizim të një sulmi kibernetik.
Diplomatët iranianë kanë djegur dokumentet e tyre disa orë para se të largoheshin nga Shqipëria.
Forcat speciale të njësisë anti-terror të Shqipërisë janë parë duke u futur në ambientet e Ambasadës iraniane në Tiranë për të kryer kontrolle pas largimit të diplomatëve nga ndërtesa.
Shqipëria njëherësh nga viti 2013 është shtëpi e rreth 3.000 anëtarëve të organizatës MEK, të cilët strehohen në Durrës pas kërkesës së parashtruar nga Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët e Iranit i konsiderojnë terroristë anëtarët e këtij grupi. Pjesëtarët e këtij grupi këtë vit janë vizituar nga ish-zyrtarë të administratës amerikane, Mike Pompeo dhe Mike Pence.
Veprimi i Shqipërisë për ta ndëshkuar Iranin dhe për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me të është përshëndetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe.
Shtëpia e Bardhë ka dënuar veprimet e dyshuara të Iranit dhe ka paralajmëruar për “veprime të mëtejme” lidhur me sulmin “e pashembullt” kibernetik ndaj një shteti të NATO-s.